Kryesore Pesë të vdekur dhe 152 raste të reja nga COVID-19

Pesë të vdekur dhe 152 raste të reja nga COVID-19

Këtë të diel është shënuar numri më i lartë i të shëruarve ditorë nga Covid-19. Plot 148 persona kanë kaluar sëmundjen duke iu shtuar listës së të shëruarve, që ka shkuar deri më tani në 4332.

“Sot është dita me numrin më të lartë të të shëruarve. 148 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID19 në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 4332 që nga fillimi i epidemisë”.

Numri i rasteve të reja vijon të mbetet i lartë. Gjatë 24 orëve të fundit, janë konfirmuar 152 persona të prekur nga koronavirusi.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 74 raste në Tiranë, 21 raste në Durrës, 13 raste në Korçë, 12 raste në Elbasan, 8 raste në Lezhë, nga 3 raste në Shkodër, Gjirokastër, Klos, nga 2 raste në Krujë, Fier, Has, Përmet dhe nga 1 rast në Kukës, Vlorë, Sarandë, Malësi e Madhe, Memaliaj, Shijak, Kuçovë”.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, betejën me sëmundjen e kanë humbur 5 qytetarë të tjerë.

“Një 50-vjeçare nga Tirana, një 74-vjeçar nga Fieri, një 70-vjeçar nga Elbasani, një 56-vjeçar nga Durrësi, një 74-vjeçar nga Burreli, me sëmundje bashkëshoqëruese. I shprehim ngushëllimet familjarëve”.

Vijon të mbetet i lartë numri i të shtruarve në dy spitalet Covid. Aktualisht aty po trajtohen 148 pacientë. 19 prej tyre janë në terapi intensive, nga të cilët 7 të intubuar.

“Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 39 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Ndërsa vijojnë të trajtohen edhe pacientë të dyshuar për COVID19, sipas protokolleve përkatëse”, njoftoi ministria këtë të diel.