Aktualitet Rindërtimi, Rama: Paratë do të shpenzohen siç duhet. SHBA: Do iu vëzhgojmë

Rindërtimi, Rama: Paratë do të shpenzohen siç duhet. SHBA: Do iu vëzhgojmë

Këtë të mërkurë u mblodh Komiteti Kombëtar për Rindërtimin. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe ambasadorët e vendeve të huaja në vendin tonë.

Kryeministri tha gjatë fjalës së tij se ky komitet shërben për të shuar çdo hije dyshimi në lidhje me fondet. Sipas kreut të qeverisë, tashmë edhe me pjesëmarrjen e ambasadorëve sigurohet që paratë e tatimpaguesve të vendeve të huaja, por edhe atyre shqiptarë, do të shpenzohen siç duhet për procesin e rindërtimit pas tërmetit.

“Nëse qeveria do të thoshte le t’i çojmë këto fonde diku tjetër reagimi i menjëhershëm do të ishte dyshimi. Unë dua që ju të sigurohuni që paratë e tatimpaguesve tuaja apo kontribuesve tuaja të shpenzohen si duhen, dua që të garantoj që edhe paratë e tatimpaguesve shqiptarë të shpenzohen si duhen. Për këtë do të falenderoja SHBA që ka pranuar të marrë parasysh propozimin për të ngritur akademinë e transparencës. Do doja që të shihja BE-në të bënte të njëjtën gjë për t’i shtuar sy dhe monitorim procesit të ekzekutimit të shpenzimeve”, tha Rama, i cili bëri thirrje që programi i rindërtimit për Shqipërinë të bëhet model për vendet e tjera.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca u shpreh krenar që unioni europian mori përsipër organizmin e konferencës së donatorëve,

“Kemi një detyrim për të ndihmuar dhe për të këshilluar. Për këtë gjë ne duhet të jemi pjesëmarrës në këtë proces. Prandaj është e rëndësishme të ulemi këtu”, tha Soreca.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se SHBA-të “Do të vazhdojnë të sigurojnë ndihmën teknike që donacionet të shpenzohen si duhet në përfitim të qytetarëve shqiptarë”.

“Mirëpritëm mundësinë të dëgjojmë planet tuaja si të bëni rindërtimin pas tragjedisë pas tërmetit. SHBA është e lumtur që ka qenë pjesë e konferencës së donatorëve. Rezultatet e jashtëzakonshme përbëjnë një shprehje të solidaritetit me popullin shqiptar por dhe një investim simbolik dhe real për Shqipërinë. Është kënaqësi që ne po shikojmë që ju po organizoheni për të realizuar atë proces që duhet të jetë transparent llogaridhënës dhe rezultativ. Ky është hera e parë që ju kemi qëndruar pranë në një moment të vështirë por nuk do të jetë e fundit. Do të vazhdojmë të jemi krah jush t’ju ofrojmë ndihmë teknike për tu siguruar që donacionet nga vendet e ndryshme përfshi dhe tonat do të shpenzohen në mënyrë të duhur”, deklaroi kryediplomatja amerikane.