Shkon në 17 numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri. Siç bën me dije Ministria e Shëndetësisë, ka ndërruar jetë një pacient 75-vjeçar, i cili kishte mbërritur në spitalin Infektiv në gjendje të rëndë.
I moshuari vuante nga post-hemorragjia cerebrale, diabeti dhe hipertensioni.
“Në Spitalin Infektiv ka ndërruar jetë një pacient 75-vjeçar. Pacienti ka mbërritur në spital në gjendje të rëndë, teksa vuante nga post-hemorragjia cerebrale, diabeti dhe hipertensioni. Pacienti me inicialet A.C. ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid-19, ndërkohë që gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar në mënyrë të menjëhershme.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për të asistuar në kohë rekord, pacienti nuk ia ka dalë të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe u bën edhe një herë thirrje qytetarëve, që të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat e distancimit social dhe të izolimit, të cilat janë të domosdoshme për frenimin e përhapjes së COVID-19”, thuhet në mesazhin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sot ka patur pothuajse një dyfishim të numrit të infektuarve me koronavirus në qarkun kohor të 24 orëve, pasi kanë dalë pozitivë në teste 27 persona. Kjo e ka çuar në 304 numrin total të të infektuarve në vend.
Shkodra ka parë numrin më të lartë në 24- orët e fundit, me plot 12 raste të tilla, mes tyre edhe një fëmijë 13-vjeçar.