Politika “Në Elbasan votuan edhe fëmijët 10 vjeç, Berisha: 70 % e operatorëve...

“Në Elbasan votuan edhe fëmijët 10 vjeç, Berisha: 70 % e operatorëve të trajnuar në sipërmarrjen e peshkut të Lucës

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha thotë se zgjedhjet e 14 majit në Elbasan janë farsa më e madhe në historinë e zgjedhjeve.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, Berisha deklaroi se sipas tij, në 70% të qendrave të votimit, operatorët shkelën ligjin dhe për këtë pretendim thotë se ka fakte.

Kryedemokrati Berisha shton se madje në Elbasan kanë votuar edhe fëmijët në moshën 10-vjeçare.

Sali Berisha: Unë e di se për gazetarët dhe mediat, e njëjta temë nuk është kurrë interesante dhe e preferueshme, por kur ajo është një çështje themelore e shoqërisë, nuk mund t’i kthesh kurrë krahët dhe ta injorosh, sepse bëhesh bashkëfajtor në një krim të paparë elektoral. Jam këtu për t’u njoftuar ju, se zgjedhjet në Bashkinë e Elbasanit janë një nga farsat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve.

Videot dëshmojnë se në mbi 70 përqind të qendrave të votimit, të ashtuquajturit operatorë, shkelën ligjin nga mëngjesi deri në darkë. Ligji përcakton qëndrimin e tyre, distancën në të cilën ata qëndrojnë nga aparatura e votimit dhe këta militantë të PS-së, të përzgjedhur me kujdes, anëtarë të FRESSH, të trajnuar në sipërmarrjen e peshkut të Lucës, dhe të trajtuar nga Luca, janë treguar shkelës të ligjit, kriminelë elektoralë pothuaj në të gjitha qendrat e votimit. Janë lejuar të votojnë edhe fëmijë në moshën 10-vjeçare dhe kjo është filmuar.