Bota Në vitin 2050 mund të fundoset, çfarë po bën Nju Jorku për...

Në vitin 2050 mund të fundoset, çfarë po bën Nju Jorku për të shmangur katastrofën?

Një nga metropolet kryesore të botës po përgatitet për të pashmangshmen: fundosjen totale nën ujë. Prej kohësh, kambanat e alarmit po bien mbi ‘xhunglën urbane’ dhe njujorkezët kanë nisur të vënë në zbatim plane për të shmangur gabimet e të shkuarës si dhe për t’u mbrojtur kundrejt asaj që mund t’i sjellë e ardhmja.

Moti ekstrem dhe katastrofat klimaterike kanë qenë pjesë e titujve kryesorë gjatë të gjithë dekadës së fundit, dhe fatkeqësisht qendra financiare e SHBA-së ka treguar se është jashtëzakonisht vulnerabël ndaj ndryshimeve më të vogla në termometër.

Me një vijë bregdetare prej 836 km, ekspertët i druhen ngritjes së nivelit të detit me 20-75 cm deri në vitin 2050.

Kjo rritje mund të dërgojë pjesë të konsiderueshme të Nju Jorkut nën ujë, sidomos ishullin e Manhatanit.

Shembulli i Uraganit Sendi në 2012 dhe stuhitë Ida dhe Henri këtë verë, shkaktuan miliarda dollarë dëme për qytetin më të madh në Amerikë si dhe i morën jetën mbi 50 banorëve.

Me pozicionin e tij unik gjeografik, ‘Molla e madhe’ apo The Big Apple është jashtëzakonisht vulnerabël ndaj motit të keq dhe së fundmi qyteti ka adoptuar një plan prej $20 miliardë dollarësh në përpjekje për të parandaluar stuhi të ardhshme.

Një nga projektet po merr përsipër të mbrojë banorët e Manhatan. Projekti East Side Coastal Resiliency ka për qëllim të mbrojë 110,000 njujorkezë që jetojnë në Manhattan, duke ngritur një sistem të integruar me gjatësi 4 kilometra, i cili do të përfshijë parqe të ngritura në pjerrtësi, mure, diga dhe porta kundër përmbytjes që do të jenë të lëvizshme, duke krijuar një linjë të pandërprerë që do të shërbejë si mbrojtje kundër ngritjes së nivelit të detit dhe kërcënimit të stuhive që po bëhen gjithnjë e më të fuqishme si pasojë e ngrohjes globale.

Gjithashtu, Manhatan do të mbjellë mijëra pemë rreth e rrotull kantierit të ndërtimit si dhe të përmirësojë sistemin nëntokësorë të kanalizimeve.