Komisonieri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Johannes Han, tha se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj “dhe të gjithë ramë dakord se janë plotësuar pesë prioritetet kyçe. Edhe këtë vit dhamë rekomandimin për çeljen e negociatave”.
“Në rast se nuk ndodh sot, nuk ndodh për shkak të dështimit të Qeverisë shqiptare, por është një çështje e dinamikave të brendshme europiane dhe kjo duhet kuptuar nga qytetarët e Shqipërisë. E shtyj Qeverinë shqiptare të vazhdojë reformat, sepse nuk bëhet për të na bërë qejfin ne, por është e rëndësishme për popullin shqiptar. Shpresoj që sa po të zgjidhen çështjet e brendshme të BE, të arrihet marrëveshja për këtë çështje”, tha Hahn pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Beruksel.
Nga ana e tij, kryeministri Rama përsëriti edhe një herë qëndrimin se vendimi për nisjen e bisedimeve për anëtarësim varet nga çështjet e brendshme brenda unionit. “Përtej faktit se çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet ku vetë anëtarët e familjes duhet të vendosin çfarë duan. Ne duhet të vazhdojmë procesin e reformave, sepse na i kërkon nevoja që t’i lëmë fëmijëve tanë një shtet me institucione demokratike, shtet funksional të së drejtës dhe ekonomi me standardet e Bashkimit Europian”, tha ai.