Ekonomi Nënshkruhet marrëveshja për projektin e ndërtimit të hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, Balluku:...

Nënshkruhet marrëveshja për projektin e ndërtimit të hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, Balluku: Linjë me gjatësi 120 km

Banka Europiane e Investimeve ka nënshkruar marrëveshje me Qeverinë Shqiptare në projektin madhor të ndërtimit të linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja dhe njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku përmes një postimi në “Facebook”, ku shkruan se kjo linjë do të ketë një gjatësi prej 120 kilometrash.

“Nënshkruam marrëveshjen me Bankën Europiane të Investimeve, një tjetër partner me Qeverinë Shqiptare në projektin tonë madhor të ndërtimit të linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.”

Balluku shton se kjo marrëveshje ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin që do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, por edhe mallrave, teksa shton se ky është projekti i dytë madhor i Qeverisë Shqiptare në transportin hekurudhor.

“Një linjë me gjatësi 120 kilometra, me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin, i cili do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, por edhe të mallrave. Pas Tiranë-Durrës me degëzim në Rinas, Vorë-Hani i Hotit është projekti i dytë madhor i Qeverisë Shqiptare në transportin hekurudhor. BEI mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm për jetësimin e disa projekteve strategjike të infrastrukturës rrugore e hekurudhore”, shkruan Balluku.