Në një kohë kur forcat izraelite janë duke përgatitur terrenin për të mësyrë në Libanin jugor, Benjamin Netanjahu i ka dhënë hov frymës konfliktuale në Lindjen e Mesme përmes një mesazhi që ua ka dërguar qytetarëve të Iranit mesditën e së hënës.
Lideri i Tel Avivit shprehet se më shpejt seç e mendojnë qytetarët në Iran, vendi i tyre do të jetë i lirë.
“Regjimi i Teheranit nuk kujdeset për ju dhe ai po ju tërheq drejt humnerës duke financuar vetëm terrorizmin dhe prodhimin e armëve bërthamore. Kur Irani të jetë më në fund i lirë – dhe ai moment do të vijë shumë më shpejt nga sa mendojnë njerëzit – gjithçka do të jetë ndryshe. Dy popujt tanë të lashtë, populli hebre dhe ai pers, më në fund do të kenë paqe”, tha kryeministri izraelit.
Më tej, Netanjahu deklaroi se nuk ka vend ku shteti i Izraelit nuk do të shkojë për të mbrojtur qytetarët e tij, duke shtuar se kokat e regjimit iranian po eliminohen çdo ditë.
“Pyesni Mohammed Daif. Pyesni Nasrallahun. Imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse të gjitha paratë që regjimi investon në luftëra dhe armë bërthamore do të investoheshin në edukimin e fëmijëve tuaj, shëndetin dhe infrastrukturën tuaj. Mos lejoni që një grup i vogël teokratësh fanatikë t’i dërrmojë shpresat dhe ëndrrat tuaja. Ju meritoni më mirë. Fëmijët tuaj meritojnë më mirë. E gjithë bota meriton më mirë. E di që ju nuk i përkrahni përdhunuesit dhe vrasësit e Hamasit dhe Hezbollahut, por liderët tuaj i mbështesin. Ju meritoni më shumë. Populli i Iranit duhet ta dijë se Izraeli është me ju. Le të përjetojmë së bashku një të ardhme prosperiteti dhe paqeje”, shtoi më tej Netanjahu.
Deklarata e Netanjahut vjen pak pasi Teherani u kujdes të distancohej nga situata në Libanin jugor, me Ministrinë e Jashtme të Iranit që deklaroi mëngjesin e sotëm se vendi nuk kishte ndërmend të dërgonte trupa atje, duke shtuar se qeveria libaneze ishte e aftë të merrej vetë me Izraelin.