Opinione Nga Bedri Islami/ Shqipëria “jashtë” Trumpit dhe Soros

Nga Bedri Islami/ Shqipëria “jashtë” Trumpit dhe Soros

 

Politikanë të opozitës, jo vetëm të skalionit të Parë, media dhe analistë shumë pranë tyre, ose krejt të tyre, prej disa kohëve, që nga fitorja e zgjedhjeve të dystuara presidenciale në Shtetet e Bashkuara po përpiqen të krijojnë dy iluzione politike, si mjetet e duhura për të ardhur në pushtet:

Iluzioni i parë: sapo presidenti i ri amerikan Donald Trump do të kryejë disa nga detyrat e shtëpisë së tij, më të domosdoshmet, gjëja e parë që do të bëjë do të jetë dëbimi nga tempulli i politikës shqiptare i të gjithë qeveritarëve të sotëm dhe strukturat e tyre politike. Ashtu si Jezusi, me kërbaç, do të rrënojë tempujt dhe në vendin e tyre do të vendosë opozitarët e sotëm, të cilët, aq besnikërisht sa janë sot ndaj tij, do të mund të ishin edhe ndaj Dinastisë Klinton, megjithëse kujtimet e saj me to nuk janë edhe aq të mira.

Iluzioni i dytë është se, pasi të kryejë dëbimin e politikës qeverisëse, Donaldi i madh, në ndryshim nga Donaldi i vogël në Tiranë, do të marrë një fshesë të madhe për të dëbuar të gjithë “soroistët” shqiptarë, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga strukturat e tjera jo qeverisëse, që në të shumtën njihen si organizata joqeveritare. Sorosi sot po trajtohet, jo vetëm në Shqipëri, por në një gjërësi nacionaliste ballkanike, si shteti serb apo nacionalistët maqedonas, njëlloj si Gylenistët e shtetit turk.

Që Donaldi Trump mund të ketë ndonjë zemërim me shefin e qeverisë shqiptare për një deklaratë politike të tij parazgjedhore, edhe mund të ndodhë, megjithëse në këtë rast ai do të kishte të njëjtin zemërim ndaj gjysmës së politikës evropiane, sidomos ndaj gjysmës më të emancipuar të saj.

Që Donald Trump mund ta ketë pasur kundërshtar politik dhe, mund ta ketë ende, një miliarder si Soros, kjo edhe mund të ndodhë, pasi interesast e mëdha gjithnjë përplasen, edhe kur janë brenda një kampi, e aq më tepër në llogore politike të ndryshme.

Donald Trump paraqitet tashmë, sidomos me fjalimin përurues, si një nacionalist populist, i paparashikueshëm, veprimet e të cilit po zgjojnë forca ultra nacionaliste në kontinentin e vjetër, po japin shpresë për ardhjen në pushtet të manjatëve financiarë, të cilët, duke bërë një populizmin me retorikën agresive, fillimisht ngjallin ëndërrime të mëdha, të cilat, edhe pse janë të dashura në fazën e parë, pra të ëndërrimit, ndodh të kthehen në një humbëtirë të madhe. Askush nuk e dëshiron këtë, aq më tepër nëse ndodh në një qendër  ku është njëri nga boshtet e politikës botërore, më i rëndësishmi.

Soros, thonë se është i rrymës së majtë evropiane , megjithëse e vështirë të bëhen njësh, një milarder dhe një i majtë në kornizën e një njeriu të vetëm. E vërteta është se lëvizja Soros ka qenë mjaft e përditësuar në trevat ballkanike, mes tyre edhe në Shqipëri, po aq sa është e vërtetë se shumë emra të njohur të politikës kanë kaluar përmes statusit të tij.

Papritmas Trump shpallet Mesia i së djathtës dhe Soros satanai i politikës. Jo vetëm në Shqipëri. Soroizmi satanik, nëse mund të përdoret një term i tillë, tani ka zënë vend edhe në diskurset e Gruevskit maqedonas, Vuçiçit serb, po aq sa në trevat shqiptare, ende pa dhënë asgjë që mund të njësonte të keqen me staturën e një mendimi të tillë politik.

Trump është tashmë presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara. Është i mirëseardhur, edhe nëse figura e tij si njeriu numër Një i politikës botërore nuk të ngjall edhe aq shpresë. Për të mos thënë se ngjall dyshim.

Nga opozita shqiptare ai shihet si njeriu që do t’i marrë për dore dhe do  i dërgojë në pushtet. Duke dëbuar nga pushteti njerëzit që mund të shihen si të rilindur nga kundërshtari i tij politik, Soros.

Opozita ka kohë që e sheh pushtimin politik të institucioneve përmes një zgjidhje jashtë saj: pra, më shumë se meritë, si dhurim i një të treti.

E kishin menduar se “Trumpi” i tyre mund të ishte Ilir Meta, njeriu që i kishte vënë në pushtet dhe i kishte rrëzuar nga pushteti. Ata, të cilët kishin dashur ta zbonin nga politika, përmes ndryshimeve kushtetuese, ia kishin marrë dorën fillimisht për të qenë në pushtet dhe, pastaj, ia kishin dhënë dorën për të qenë i treti i domosdoshëm. Meta dhe LSI, duket tashmë, i kanë bërë llogaritë pa to, bile kundër tyre. Shija e fitores përmes Metës, ka rënë.

Tani rruga tjetër e tyre është Trumpi dhe kundërvënia e Soros. Nuk e di se ku e kanë parë këtë ëndërr të keqe, por e di se një ditë do të zgjohen. Rruga e Trumpit drejt Shqup-it politik shqiptar është kaq e gjatë dhe me kaq të papritura, sa që edhe ata vetë e dinë, por nuk duan ta dinë. Fotot bastarde, të përcjella nga Washingtoni, të dy pinjollëve opozitarë, njëri i vendosur nga i ndjeri Godo dhe tjetri i vënë nga Berisha, Basha dhe Mediu, më shumë se gjithçka tjetër ishin përtallja e rradhës, se sa mendimi i ri politik.

Përse filozofia e Soros po shpallet armike në Shqipëri, njëlloj si Gylenistët nga Erdogani në Turqi?

Vështirë ta dish, por, si gjithnjë, duhet gjetur një rrugë armike, mbi të cilën mund të shkelësh dhe për të cilën mund të mallkosh. Deri tre muaj më parë, Soros, vija e tij politike, sidomos ndaj minoriteteve, trajtimi i një klase politike, ndoshta me ide të së majtës bashkokohore, shihej si diçka e mrekullueshme që po ndodhte në Evropën Lindore, ashtu si lëvizja kulturuese e Gylen, shihej si një lëvizje emancipuese.

Mungesa e vizionit të çon pashmangshëm në krijimin e një çoroditje politike. Asfiksia e mendimit dhe përsëritja e slloganeve , deri në mërzi, të drejton nga humbja, çka është e sigurtë në zgjedhjet e vitit 2017. Nga kjo asgjë nuk e shpëton opozitën e sotme. Edhe sikur vetë Donaldi i madh të jetë pjesë e zgjedhjeve të tyre, përsëri do të ndodhë e njëjta gjë. Sepse, edhe në këtë rast, njerëzit do të mendonin se sa poshtë ka rënë katundi, pasi, duan apo nuk duan, është e pamundur të shpëtosh një opozitë, e cila, për katër vite, asgjë të re nuk solli dhe asgjë nuk bëri për të krijuar fizionominë e re politike të saj.

Faji nuk është i Soros, ashtu si nuk është merita e tij që sot qeveris një koalicion i së majtës.

Faji i humbjes së katër viteve më parë ndodhet në barkun e opozitës, e cila u mbars me të gjitha të këqijat e mundshme dhe solli një humnerë financiare. Merita nuk është e qeverisjes së sotme, pasi, aq të lodhur sa ishin njerëzit para katër viteve, do të votonin këdo, veç ai të mos ishte edhe një herë Berisha.

Politika e Trumpit nuk do të jetë diçka e re në Shtëpinë e Bardhë. Do të jetë më agresive, sidomos në fillimet e saj, do të jetë më populiste, deri sa të shfaqet lodhja, nuk do të jetë dominuese, pasi Amerika nuk mund të qeveriset njëlloj si qeveris Zoti Trump koncernet e trustet e tij; do të jetë më pak e matur, por do të jetë njëlloj e kontrolluar, pasi, në të gjitha kohrat që kanë qeverisur 45 presidentë amerikanë, kurrë nuk ka vendosur Njëshi, edhe kur janë marrë vendime fatalisht të dënueshme.

Shqipëria do të jetë në agjendën e Shtëpisë së Bardhë po aq sa ishte deri tani. Sorosi do të jetë në Shqipëri po aq sa ishte deri tani. Të dy, veç e veç dhe së bashku, do të kenë ndikimin e tyre, herë të përkohshëm e herë më afatgjatë, por kurrë vendosës. Viti 1991, kur edhe një thënie ambasadorësh përcaktonte fatin e vendit, është shumë i largët dhe , duhet thënë, ishte i pahajr.

Opozita e di këtë më mirë se gjithë të tjerët. Nëse do të vazhdojë të presë që zoti Trump të vijë me fshesë dhe t’u pastrojë vendin e qeverisjes, do të vazhdojnë të rrinë gjatë në opozitë, shumë më gjatë se sa presidenti i sotëm do të jetë president.