Kryesore Nis aplikimi edhe në Shqipëri: Nga ndryshon testi serologjik me tamponin për...

Nis aplikimi edhe në Shqipëri: Nga ndryshon testi serologjik me tamponin për koronavirus?

Andi Koraqi, shef i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT është një prej mjekëve që ka fituar betejën  me coronavirus. Në një intervistë për EuronewAlbania, doktori tha se e kishte kaluar infeksionin në formë jo shumë të rëndë.

Tashmë laboratori mikrobiologjik në QSUT po përgatitet për të kryer nga java e ardhshme testin serologjik (analizë gjaku për antitrupat), që do të zbulojë personat që mund ta kenë kaluar COVID-19 apo edhe ata që kanë imunitet për ta përballuar këtë sëmundje infektive.

Të parët që do t’i nënshtrohen këtij testi janë personeli mjekësor dhe forcat e rendit, të cilët janë në vijë të parë të betejës kundër virusit.

Koraqi ka shpjeguar se çfarë është konkretisht ky test dhe nga dallon nga tamponët.

Ky test do bëhet vetëm për mjekët dhe infemierët?

Në fillim vetëm ekipet mjekësore ose për grupet që janë në rrisk. Do e bëjnë punonjësit e shëndetësisë dhe punonjësit e rendit. Testet nuk përjashtojnë pacientët e infektuar.

A ka një kosto? Sa kushton?

Nuk e di sa është, sigurisht që ka një kosto.

Sa besueshmëri ka testi serologjik?

Në varësi të testit, se ka specifika të ndryshme, është test i ri për ne, nuk e dimë shumë të saktë sa është sensitiviteti. Por sigurisht kemi të dhënat e firmës.

Ku dallon nga tamponi?

Diagnoza e sëmundjeve infektive bëhet në disa mënyra, ose duke izoluar shkaktarin e infeksionit ose në mënyrë të tërthortë duke matur pasojat. Tamponi e kap në mënyrë të drejtpërdrejtë, kurse testi serologjik vëren pasojat që lë ky virus në organizëm.

Kapaciteti për të kryer këtë test është 180 teste në orë. Doktori u shpreh se ende nuk mund të bëhet një parashikim se sa për qind e popullsisë mund të jetë prekur nga COVID-19, por zyrtarisht deri tani janë 600 persona të prekur.