Aktualitet Një ‘komando’ në masakrën e Fushë Krujës? Asnjë plumb jashtë objektivit, viktimat...

Një ‘komando’ në masakrën e Fushë Krujës? Asnjë plumb jashtë objektivit, viktimat u ndoqën që nga Rinasi

Si për nga rrethanat, mënyra dhe strategjia që kishin zgjedhur, atentati në vrasjen e 3-fishtë në Fushë Krujë ka qenë i sinkronizuar nga autorët.

Ata kanë vepruar si një komando e vërtetë ushtarake, ku dyshohet se janë ndihmuar edhe nga një grup tjetër që monitoronte nga pas mjetin e viktimave.

Një ditë pas masakrës që tronditi vendin, policia ka ndërtuar paraprakisht dinamikën e ngjarjes me tre të vdekur: Brilant Martinaj; Arbër Hoxha dhe Diklen Vata.

Një makinë i ka ndjekur nga pas

Ekspertët janë kthyer në vendin e ngjarjes këtë të hënë dhe po këqyrin kamerat e sigurisë, pasi dyshohet se një makinë i ka ndjekur viktimat që nga Rinasi në drejtim të Fushë Krujës.

Sipas burimeve paraprake të Gazetasi.al, mësohet se njëra makinë, i ndiqte viktimat nga pas në drejtimin Tiranë-Mamurras, duke dhënë informacion për vendndodhjen e tyre te autorët.

Ndërkohë, këta të fundit, të armatosur me automatikë, ishin organizuar t’u dilnin përballë viktimave në drejtimin Mamurras-Tiranë.

Sapo viktimat futen te mbikalimi i Fushë Krujës, përballë u del makina e autorëve, e cila në fillim u zë rrugën dhe më pas prej saj dalin në mënyrë të sinkronizuar tre autorët, të cilët të pajisur dy me kallashnikovë dhe njëri me automatik “MP5”, kanë derdhur rreth 90 plumba brenda pak sekondash në drejtim të tyre.

Pasi i ka shpëtuar goditjes së parë, nga dera e pasme e makinës, del Diklen Vata, i cili ishte edhe në rolin e “badigardit” të Brilant Martinajt.

Ai mundi të largohet vetëm pak metra nga mjeti, pasi autorët u kthyen dhe e qëlluan nga afër duke e lënë të vdekur në vend.

Pas pritës, të gjitha plumbat u derdhën mbi mjet

Pas kryerjes së atentatit dhe sigurimit që nuk kishin lënë asnjë objektiv të gjallë, autorët largohen sërish në mënyrë të organizuar dhe djegin makinën pak kilometra më tej në fshatin Larushk.

Dyshohet se ata janë marrë nga një makinë tjetër, e cila dyshohet pikërisht se ka qenë mjeti i cili ndoqi viktimat nga Rinasi deri në Fushë Krujë.

Policia dyshon se autorët kanë qenë mjaft të përgatitur dhe me njohuri të avancuara në drejtim të teknikës ushtarake dhe të përdorimit të armëve, duke qenë edhe qitës profesionistë.

Nga këqyrja e makinës së viktimave dhe vendit të ngjarja është konstatuar se nga të gjithë plumbat e derdhur në drejtim të tyre, vetëm njëri ka qenë jashtë objektivit, pra makinës.

Ekspertët e policisë kanë konstatuar vetëm një plumb, i cili ka qenë jashtë objektivit dhe ka bërë rikoshetë në pjesën mbrojtëse të mbikalimit, vetëm pak centimetra në lartësi nga makina e viktimave.

Nga ana tjetër, policia nuk e di ende me saktësi, nëse zjarri i është vënë nga autorët, apo plumbat kanë depërtuar në makinën e të rinjve, kanë sjellë flakët.

Dyshimet për Brilant Martinajn

Policia dyshon se objektivi i atentatit ishte pikërisht Brilant Martinaj. Kjo, pasi sipas policisë, pjesa më e madhe e plumbave të autorëve ishin në drejtim të pasagjerit në vendin e parë të makinës, ku edhe gjendej i ulur 23-vjeçari.

Ai dyshohet se ka qenë autor i vrasjes së efektivit Xhuliano Prela më 5 dhjetor 2020 dhe ish-policit Xhelal Reçi më 1 nëntor 2021.

I riu ishte kushëri dhe një besnik i Ervis Martinajt, një eksponent i njohur i krimit në Shqipëri, i dyshuar se qëndron pas disa ngjarjeve kriminale.

Ervis Martinaj prej 18 Majit 2022 qëndron i fshehur, për shkak të një mase “arrest në burg” të vendosur nga SPAK, për akuzën e “Sigurimit të mjeteve për të kryer vrasjen” e Endrit Dokles kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Por Martinajt i janë eliminuar edhe shumë miq të tjerë si Erigers Mihasi.

Kjo bën që policia të dyshojë se atentati ishte mjaft i shtrenjtë dhe i mirëorganizuar, duke besuar se autorët prisnin të godisnin një person me peshë më të madhe se sa tre të rinjtë, pavarësisht se Brilant Martinaj dyshohej për disa ngjarje kriminale./ Gazeta Si