Bota “Një krizë e re COVID-19 po vjen”, paralajmërimi: 1 miliard njerëz mund...

“Një krizë e re COVID-19 po vjen”, paralajmërimi: 1 miliard njerëz mund të infektohen nëse nuk veprohet tani

Një miliard njerëz mund të infektohen me koronavirusin në të gjithë botën nëse vendeve të prekura nuk iu jepet ndihmë urgjente, ka paralajmëruar një grup bamirësie.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit, njohur shkurtimisht si IRC, tha se ndihmat financiare dhe kërkimore ishin të nevojshme për të ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes globale të virusit.

Grupi tha se “vendet e brishta” si Afganistani dhe Siria kishin nevojë për “financim urgjent” për të shmangur një shpërthim të gjerë.

“Mbetet një dritare e vogël kohe për të dhënë një përgjigje të fortë”, – paralajmëroi Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit.

Ka më shumë se tre milion raste të konfirmuara të COVID-19 në të gjithë botën me më shumë se 200.000 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins, në SHBA.

Raporti i IRC-së, i cili bazohet në modele dhe të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe Imperial College London, vlerësohet se mund të ketë midis 500 milionë dhe 1 miliard infeksione në nivel global.

Në njoftimin e grupit të bamirësisë thuhet gjithashtu se mund të ketë më shumë se tre milion vdekje në dhjetëra vende të prekura nga konflikti dhe paqëndrueshmëria.