Sport Një tjetër shqiptar në Serie A, Parma blen Andi Zeqirin

Një tjetër shqiptar në Serie A, Parma blen Andi Zeqirin

Një tjetër futbollist shqiptar transferohet në Serie A. Bëhet fjalë për Andi Zeqirin talentin e Lozanës që është rritur si futbollist në Zvicër dhe ka shkëlqyer në sezonin e kaluar në Challenge League. Zeqiri i cili ka qenë pjesë edhe e 21-vjeçarëve të Zvicrës me të cilët ka shënuar 6 gola në 7 ndeshje, por që ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën, është vetëm një hap larg transferimit te Parma. Klubi i  Serie A ka vendosur të paguajë klauzolën e largimit të futbollistit nga Lozana.

Kjo për arsye se emilianët janë plotësisht të bindur nga cilësitë e 21-vjeçarit dhe sipas asaj që raporton “Sky Sport” kanë paguar tre milionë euro që liron futbollistin nga çdo përgjegjësi ndaj Lozanës. Kështu, Zeqiri do të ketë mundësinë të shfaqë talentin e tij në skenën e madhe, ndërsa më parë ka provuar të jetë pjesë edhe e radhëve të Juventus U-19. Në sezonin e fundit me Lozanën në kategorinë e dytë në Zvicër, Zeqiri shënoi 17 gola në 33 ndeshje duke ndihmuar skuadrën e tij të siguronte ngjitjen në Superligë.