Bota “Nuk do jem pjesë e qeverisë së Biden”, Obama: Zgjedhjet treguan përçarjen...

“Nuk do jem pjesë e qeverisë së Biden”, Obama: Zgjedhjet treguan përçarjen e thellë të Amerikës

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 2020 tregoi se SHBA mbetet një vend shumë i përçarë.

Të dy kandidatët, Donald Trump dhe Joe Biden morën më shumë se 70 milionë vota. Në një intervistë për CBS News, Obama theksoi shqetësimin e tij për këtë ndasi mes qytetarëve.

Ish-presidenti shtoi se është shumë e vështirë që demokracia të funksionojë nëse njerëzit veprojnë në drejtime krejtësisht të ndryshme. Gjithashtu, kritikoi Trump për mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve duke thënë se dëmton demokracinë.

Ndër të tjera, Obama bëri me dije se nuk do të jetë pjesë e administratës së ardhshme presidenciale të Joe Biden. Intervista vjen përpara publikimit të volumit të parë të biografisë së Obamës të quajtur “Toka e Premtuar”. Libri do të publikohet më 17 nëntor.