Aktualitet “Nuk dua ta shoh me sy”, flet babai i Sokol Mjacajt: Më...

“Nuk dua ta shoh me sy”, flet babai i Sokol Mjacajt: Më vjen keq për njerëzit e shtetit

Fran Mjacaj, babai i Sokol Mjacaj, i cili vrau në qeli të dënuarin Arben Lleshi, distancohet nga krimi i kryer nga i biri. Në një intervistë për Klan News, 77-vjeçari tregon se nuk do që ta shohë më me sy djalin e tij. Ai shpjegon se nuk ka pasur marrëdhënie që kur kreu krimin monstruoz, vrasjen e dy turistëve çekë.

“Unë e kam taku vetëm kur ishte në kampin (burgun) e Shënkollit, as kur ishte në Krujë nuk kam shku se nuk kam pas mundësi se jam i sëmurë. I vëllai e ka takuar dhe e ka ndihmu boll. Pas kësaj ngjarje, nuk më bahet as me fjet, as me u zgju, as me pa Sokolin dhe as me pa askënd. Jam prish në zemër, mosha bën të veten, jam degraduar komplet.”

Fran Mjacaj thotë se as ai dhe as djali tjetër nuk kanë pasur asnjëherë dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm në burg.

“Çfarë duhet me ba unë, çfarë detyrimesh kam. Për ngjarjen jena mërzit shumë shumë, jena ba me vra vedin, asht punë e panevojshme për mendimin tem, asht shumë e rëndë. Nuk asht dakord askush, nuk e dimë pse, për çfarë motivesh, për çfarë nuk di ça me thanë ato punë i dinë vetë, se ça kanë brenda për brenda e dinë vetë. Ne si familje, unë bashkë me djalë nuk kemi dit se ku është, e a ka patur sherr me njeri, për kështu punësh absolutisht në botë. Për Sokolin unë nuk e di se nga ka dalë mendsh vetëm at punë s’ka pas pse e ban, dhe si mund të jetë fut aty brenda e dinë ata. Ne nuk e mendonim kurrë se Sokoli ban ashtu punësh.”

Fran Mjacaj, shpreh keqardhje edhe për punonjësit e burgjeve që u shkarkuan nga detyra dhe u arrestuan, si shkak i vrasjes së kryer nga djali i tij.

“Më ka ardh keq për njerëzit e shtetit, më vjen keq se asht marrë dikush në qafë, nuk e kanë me borxh për poshtërsirat që mund të bajnë të dënuarit. Më vjen shumë keq për personelin e atyne që kanë shërbyer në kamp si ushtarak, me u ndodh fatkeqësi se me kanë thanë se janë shkarku disa njerëz në kampin e Peqinit.”

Fran Mjacaj jeton i vetëm, pasi djali i vogël ndodhet jashtë shtetit, ndërsa gruaja i ka vdekur. Ai jeton në kushte të vështira ekonomike dhe varfëri të tejskajshme.