Sport Nuk ka çështje De Ligt te Juventusi

Nuk ka çështje De Ligt te Juventusi

85.5 milion euro Juventusi nuk i shpenzon pa u menduar mirë se për kë lojtar do të nxjerrë nga llogaria e klubit një shifër kaq të lartë. Matthijs de Ligt është pa as më të voglën mëdyshje një ndër të rinjtë më të talentuar në planet. Vetëm 20 vjeç dhe ka në muzeun personal një kampionat holandez, një kupë dhe 21 ndeshje më përfaqësuesen e Holandës, megjithatë performanca e tij tek Juventusi nuk ka qenë entuziazmuese. Maurizio Sarri ka preferuar që në 5 ndeshjet e fundit, t’i besojë qendrën e mbrojtjes një tjetër të riu me shumë cilësi si turku 21-vjeçar Merih Demiral.

De Ligt nuk zbret në fushë si titullar  që nga data 7 dhjetor kur bardhezinjtë u dorëzuan në “Olimpico” ndaj Lazios 3-1, madje nuk ka luajtur asnjë minutë në tre sfidat e fundit kundër Sampdorias, Lazios në Superkupë dhe Cagliarit.

Megjithatë nuk ka një çështje De Ligt, tek Juventusi kanë nxituar të largojnë çdo tymnajë duke informuar se holandezi nuk ka luajtur në dakordësi të plotë me trajnerin për të rikuperuar energjitë pas disa problemeve fizike, pra Sarri dhe klubi kanë menduar duke marrë edhe “ok”-in e lojtarit që De Ligt të mos aktivizohet për të administruar edhe aspektin fizik. Trajneri toskan e vlerëson maksimalisht qendërmbrojtësin, madje jo shumë kohë më parë deklaroi se Matthijs de Ligt do të jetë një ndër futbollistët më të mirë në botë, mbetet për t’u parë nëse këtë fundjavë kundër Romës do ketë përfunduar apo jo periudha e pushimeve të detyruara për 20-vjeçarin i cili përfiton 7.5  milion euro në sezon.