Koronavirusi ia doli të lërë derbin e kryeqytetit pa pjesën më të bukur të tij, tifozerinë e zjarrtë, por nuk bëri dot asgjë për të anuluar përballjen Partizani-Tirana, të cilat dhuruan spektaklin e tyre gjatë 90 minutave në stadiumin “Air Albania”.
Pas rreth 48 orësh ankth, të shkaktuar nga infektimi me koronavirus i plot 5 futbollistëve të Partizanit, por edhe vendimit të trajnerit Sormani për të mos qëndruar në pankinë, prej orës 20:45 fjala i kaloi fushës së blertë, ku u zhvillua një sfidë mjaft interesante dhe e luftuar nga të dy skuadrat, që në fund u ndalën në një barazim 1-1.
Ndeshja
Megjithatë, lojtarët e Partizanit që zbritën në fushën e lojës nuk toleruan aspak, madje shënuan të parët në minutën e 76 me anë të William. Atëherë kur të gjithë menduan se ndeshja u mbyll me fitoren e skuadrës së Partizanit, del në skenë talenti bardheblu Muçi, i cili shënoi në minutat e shtesës, duke e vulosur ndeshjen në barazim 1-1.
Kjo pikë e marrë në derbi mund të rezultojë vendimtare për Tiranën në garën për titull, duke qenë se tashmë është 7 pikë para Kukësit, i cili nesër luan përballë Teutës, që synon gjithashtu një vend në kupat e Europës sezonin e ardhshëm.
Ndërsa Partizani mbetet në kuotën e 49 pikëve dhe sheh t’i komplikohet objektivi për një vend në zonën Europa League.