Opinione “Open balkan”, nisma që përçan shqiptarët dhe lumturon Vuçiçin

“Open balkan”, nisma që përçan shqiptarët dhe lumturon Vuçiçin

Nga Leonard Karaj

“Shqiptarët janë njashtu si i don hasmi”!. Ndoshta si asnjërehë më parë, gjatë këtyre viteve, teksa në pushtet ka qenë Edi Rama, kjo shprehje thesar e Gjergj Fishtës nuk ka qenë më aktuale. Atëherë kur politika shqiptare do duhej të ishte në unison, në plan të parë del narçizizmi i sëmurë i një njeriu të vetëm, i cili kërkon me çdo kusht që të jetë protagonist absolut mes shqipfolësve. Të jetë ai që të mbahet mend gjoja si “arkitekti i Open Balkan”, dhe këtë “çmim virtual” nuk do dëshironte për asgjë në këtë botë, që ta ndante me cilido shqiptar tjetër, brenda dhe jashtë kufinjëve shtetërorë. Pikërisht për shkak të egoizmit të Ramës, debati mbi nismën “Ballkani i Hapur” po rezulton si dhurata më e mirë që politika jonë mund ti bënte Beogradit zyrtar. Duket fare qartë se i fituari më i madh në këtë lukuni deklaratash dhe akuzash mes vedit, është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit, me zotësi apo dinakëri, u ka futur sërish “shkopinjtë nën rrota” politikanëve tanë, duke ngrehur kësisoj të disatin debat shterpë dhe totalisht pa thelb mes Tiranës dhe Prishtinës.

Në thelb, unë jam pro nismës së ndërmarrë, pasi llogjikisht sjell përfitime ekonomike shumë të mëdha për gjithë ballkanin. Por, përpara sesa ta shikojmë si një dritare ekonomike fitimprurëse, do duhej që të merrej në konsideratë çështjet politike të pazgjidhura mes shqiptarëve dhe pjesës tjetër të ballkanit perëndimor. Dhe pikërisht kjo nismë do duhej të ishte shfrytëzuar edhe më mirë si nga pala kososvare dhe nga kryeministri Rama, nga i cili pritej që të ushtronte më shumë presion pozitiv ndaj Vuçiçit në radhë të parë, por edhe ndaj Albin Kurtit, me qëllim që Kosova të ishte me patjetër pjesë e kësaj nisme.

Unë nuk besoj se Kosova nuk dëshiron që të marrë pjesë në këtë nismë. Albin Kurti gjithnjë ka thënë se është pro lëvizjes së lirë ekonomike, por sigurisht, Kosova duhet të ketë pozicionin e vet si një shtet i pavarur sikundër është. Nuk e di sesi do të afrohej më shumë njohja e Kosovës nga Serbia, sikundër deklaroi para pak ditësh kryeministri Rama, kur Vuçiçi, në mënyrën sesi po ravijozoihet “Open Ballkan”, natyrisht edhe me bekimin dhe ndihmën e Ramës, konsideron si palë vetëm Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?!!. Dhe tjetra, në rast se qenkësh e vërtetë se nisma është e hapur edhe për Kosovën, atëherë përse në takimin e Shkupit nuk iu dërgua ftesë zyrtare Prishtinës? Po, kur takimi i radhës do të mbahet në Beograd, a do të ketë ftesë Albin Kurti që të marrë pjesë si kryeministër i Kosovës? Unë besoj se as në rastin e Shkupit dhe as kur takimi i radhës do të organizohet në Beograd, qeveria e Kosovës nuk do ftohet. Dhe arsyeja është fare e lehtë për t’u kuptuar: politika përjashtuese e Beogradit gjen strehë fatkeqësisht edhe në Tiranë.

Nisma ishte/është rasti tipik, kur dy kryeministra shqiptarë, dy kahet e kombit, do duhej të bëheshin me çdo kusht bashkë. Në një moment të tillë, kur Kosova është sërish në qendër të vëmendjes të politikës amerikane dhe të Brukselit zyrtar, Tirara do duhej të luante një rol protagonizmi, dhe jo përjashtimi. Por, fatkeqësisht këtë lloj politike ka ndjekur Rama gjatë këtyre viteve të fundit, dhe jo pa qëllim kemi pasur përplasje të forta qoftë me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, qoftë me kryeministrin aktual Albin Kurti, apo edhe me presidenten Vjosa Osmani. Tani, unë e kam shumë të vështirë të besoj se që të tre këta politikanë nuk e duan të mirën Kosovës, ndërsa Edi Rama punon veçse për të ardhmen plot prosperitet të kombit shqiptar në ballkanin perëndimor.

Çfarë interesi, qoftë edhe ekonomik, do të kishin shqiptarët, nëse në kahun tjetër gjysma e kombit nuk do të përfitonte asgjë ose konsiderohet apriori e përjashtuar?! Sa vlen kjo për Shqipërinë, kur Kosova, “zemra e Ballkanit”, aty ku kryqëzohen të gjitha rrugët, do të ishte jashtë kësaj nisme? Kujt i duhet “Open Ballkan” kur nga 6 shtete, vetëm 3 marrin pjesë (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia. Nuk janë ftuar ose kanë refeuzuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja)??.

Në këtë këndvështrim besoj se ky ishte rasti më i mirë që shqiptarët të faktorizoheshin në gadishull. Por për ta bërë këtë gjë, duhet largpamësi politike dhe ndërmarrje të vendimeve përtej interesit personal. Përndryshe, fatkeqësisht rikthehemi rreth 100 vjet prapa, ku sërish i madhi Fishta do të thoshte: “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë”.