Bota Operacionet në Afganistan do të përfundojnë në 31 gusht

Operacionet në Afganistan do të përfundojnë në 31 gusht

Presidenti i SHBA, Joe Biden ka mbrojtur vendimin e tij për të tërhequr forcat ushtarake nga Afganistani, duke thënë se operacionet e SHBA-së do të përfundojnë në 31 gusht.

“Ne nuk shkuam në Afganistan për të ndërtuar kombin. Udhëheqësit afganë duhet të bashkohen dhe ta orientojnë vetë vendin drejt së ardhmes. Unë nuk do të dërgoj një brez tjetër amerikanësh në luftë në Afganistan, pa ndonjë pritshmëri të arsyeshme për të arritur një rezultat ndryshe”.

Në fillim të këtij viti, Biden vendosi një qëllim për t’i tërhequr trupat në 11 Shtatorit 2021. Më herët ish-Presidenti amerikan Donald Trump kishte rënë dakord me talebanët për të tërhequr trupat amerikane deri në maj 2021, por ky afat u shty nga Biden pasi ai mori detyrën në janar.

SHBA pritet të mbajë 650 deri në 1000 trupa në Afganistan për të ruajtur ambasadën amerikane, aeroportin e Kabulit dhe institucionet e tjera kryesore të qeverisë.

Mbështetje e gjerë në SHBA për largimin nga Afganistani

Sondazhet e fundit kanë treguar mbështetjen e gjerë të SHBA për largimin nga Afganistani, me votuesit republikanë më skeptikë ndaj vendimit për t’u tërhequr.

Biden gjithashtu tha se po bëhen përpjekje për të nxjerrë jashtë vendit përkthyes dhe afganë të tjerë që kanë punuar me qeverinë amerikane. Ai tha se 2,500 viza speciale të emigrantëve janë lëshuar për t’i lejuar ata të vijnë në Shtetet e Bashkuara, por vetëm gjysma kanë ardhur deri më tani. Shumica dërrmuese e forcave të huaja të mbetura në Afganistan janë larguar përpara afatit të 11 Shtatorit, duke e lënë ushtrinë afgane plotësisht të ngarkuar me sigurinë kombëtare.

Talebanët: Nuk kemi bërë asnjë premtim të mos sulmojmë

Tërheqja e Perëndimit me në krye SHBA nga Afganistani ka nisur të japë rezultatet e para të asaj që ishte parashikuar prej shumëkujt. Gjatë një konference për shtyp në Moskë, negociatori i talebanëve Shahabuddin Delawar deklaroi se grupi që ai përfaqëson kontrollon tashmë 85% të territorit të vendit në 250 distrikte nga 398 që janë gjithsej. Sipas tij, Talibani është i lirë të sulmojë qendrat administrative të Afganistanit, për shkak se siç tha ai: “Nuk i është bërë asnjë premtim SHBA për mos e bërë një gjë të tillë”.

Megjithatë, Delawar ka shtuar se talebanët nuk do ta marrin Kabulin, kryeqytetin afgan me forcë. Zyrtarët talebanë kanë sqaruar gjatë konferencës se veprimet ushtarake në veri të vendit nuk përbëjnë kërcënim për interesat ruse në Azinë Qendrore, një koment ky që lidhet me shqetësimin e Moskës se talebanët mund të sulmojnë aleatin e tyre, Taxhikistanin, pas hyrjes në këtë të fundit të forcave qeveritare afgane.