Kryesore “Opozita zgjodhi rrugën, në rrugë të rrijë”, Rama: Zgjedhjet në datën e...

“Opozita zgjodhi rrugën, në rrugë të rrijë”, Rama: Zgjedhjet në datën e caktuar!

“Rrugën kanë zgjedhur, në rrugë të rrinë”, tha Kryeministri Edi Rama për opozitën shqiptare, e cila edhe këtë të enjte ka vazhduar me protestat, ku kërkonin dorëheqjen e tij dhe qeveri tranzitore për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Ata do të vazhdojnë me të tyren, janë të dëshpëruar dhe të pashpresë. Nuk fitojnë dot me zgjedhje. Rrugën kanë zgjedhur, në rrugë të rrinë. Ndërsa ne të vazhdojmë në rrugën që kemi marrë përsipër, të udhëheqim shqiptarët.”

Paralajmërimeve të kryetarit të PD, Lulzim Basha, Rama iu përgjigj duke thënë se “nuk do të ndodhë asgjë tjetër përveçse ata do të shkojnë duke u rrudhur dhe ne do të s’bëjmë detyrën që na kanë dhënë.”

“Të gjithë ata që e kanë marrë dhe vazhdojnë ta marrin për budalla këtë popull kanë paguar dhe do të vazhdojnë të paguajnë për këtë nënvlerësim…Boja mbi muret e Ministrisë së Brendshme padiskutim që është një produkt që do të thithet menjëherë nga tregu ndërkombëtar i medias, ku nuk janë të paktë eurokadrinjtë që ngjajnë me kadrinjtë lokalë që kemi ne. Ata janë të pafajshëm sepse pak ose aspak dinë nga Shqipëria ndërkohë që duhet të ushqejnë opinionin e tyre publik me lajme sensacionale.”

Paralajmërimit të Bashës se nuk do të ketë zgjedhje me Ramën Kryeministër, kreu i qeverisë iu përgjigj: “Hyjnë apo nuk hyjnë në zgjedhje, zgjedhjet vendore do të bëhen në datën e caktuar. Është puna e tyre, është e mira e tyre nëse hyjnë, është e keqja e tyre nëse nuk hyjnë. Qederin më të madh ia bëjnë vetes.”