Politika Pacolli i ofron ndihmë, Rama: Brenda 2020 të gjithë do të futen...

Pacolli i ofron ndihmë, Rama: Brenda 2020 të gjithë do të futen në banesa të reja

Kryeministri Edi Rama ka zbritur në terren në pallatin gjashtëkatësh në lagjen 18 dhe në çadrat ku janë akomoduar banorët e prekur nga tërmeti, i cili u shemb një ditë më parë nga tërmeti i rëndë.

“Do të bëjmë akomodimin në hotele, gjithashtu do të bëhet lista e saktë e personave të mbetur pa banesa në mënyrë që të mos ketë abuzime. Nuk i kthejmë dot njerëzit e humbur, por jemi në gatishmëri të familjarëve për t’u krijuar kushte të përshtatshme. Brenda 2020 të gjithë do të futen në banesa të reja”, tha Rama.

Ndërkohë i pranishëm në lagjen 18 në Durrës, Behgjet Pacolli thekson se qeveria e Kosovës është e gatshme për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve dhe të pastrehëve.

“Populli i Kosovës solidarizohet. Unë personalisht, ne të gjithë jemi duke punuar dhe besoj se që nga dje është bërë punë. Ne jemi të gatshëm t’ju vijmë në ndihmë të plagosurve, ata që kanë nevojë për shërim dhe ata që kanë mbetur pa strehim. Ne jemi gati dhe vetëm të koordinohemi”, u shpreh Pacolli.

Kujtojmë që ditën e sotme, kryeministri Rama në mbledhjen e qeverisë njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në dy rajonet më të prekura, Durrës dhe Tiranë.

Deri tani, numri i viktimave ka shkuar në 29 persona.