Politika Pak minuta në seancë, opozita braktis sallën e Kuvendit

Pak minuta në seancë, opozita braktis sallën e Kuvendit

Seanca e kësaj të hëne në Kuvend mbylli zyrtarisht punimet. Deputetët miratuan kryesitë e komisioneve parlamentare, si edhe byronë e Kuvendit, së bashku me sekretariatet, ndërsa u shty pika për përbërjen e komisioneve të përhershme, e cila solli debate mes mazhorancës dhe opozitës.

LSI ngriti pretendimin në sallë se ky subjekt politik nuk ishte pyetur se në cilin komision do të donin të merrnin pjesë deputetët e saj. Për rrjedhojë, u kërkua shtyrja e seancës, kërkesë e cila u mbështet edhe nga PD, por u rrëzua nga PS, e cila vendosi që të miratoheshin vetëm kryesitë e komisioneve, ndërsa përbërja të votohej në një tjetër seancë.

Kjo ishte çështja që solli irritimin e opozitës, fillimisht të PD, e cila u largua nga salla, ndërsa LSI qëndroi në sallë deri në momentet e fundit, duke votuar.

Kreu i PD, Lulzim Basha, nisi të fliste nga vendi dhe pa mikrofon duke hedhur akuza për kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën.

“Ti je manekin. E rrënove Parlamentin që ditën e parë”, dëgjohet të ketë thënë Basha në Kuvend.