Politika Paketa anti-KÇK, Rama reagon nga SHBA: Mblidhen në sallonet e TV-vë për...

Paketa anti-KÇK, Rama reagon nga SHBA: Mblidhen në sallonet e TV-vë për të mbrojtur krimin

Akuza kundër paketës anti-KÇK, kryeministri Edi Rama u është përgjigjur përmes një postimi në Twitter.

Rama, nga SHBA, shkruan se nga studiot televizive shahet, shpifet dhe akuzohet se qeveria është e lidhur me krimin sa herë ndodh një vrasje.

“’A janë njerëz këta a ça janë?’, më shkruan një qytetar i tronditur nga komentet e studiove televizive kundër paketës antiKÇK! Eh, kanë kaq kohë që shajnë, akuzojnë, shpifin për lidhjet e qeverisë me krimin dhe mblidhen në sallonet tv sa herë ndodh një vrasje, duke sulmuar qeverinë”, thotë kryeministri.

Po ashtu, Rama ka shtuar duke thënë se qeveria e ka shtuar ofensivën ndaj krimit, ndërkohë që këta njerëz në televizione janë kthyer në avokatë të krimit.

“Sot që qeveria është angazhuar në ofensivën më shembullore kundër krimit në historinë e vendit, mblidhen në sallonet tv për të mbrojtur krimin nga qeveria që po shkel të drejtat e atyre, të cilët deri dje pa pikën e turpit, i lidhnin me mua, me PS e me çdo fitore elektorale të PS. Njerëz janë njerëz, po janë armiqësuar me të vërtetën, me faktet e me vetë profesionin e tyre për inat të qeverisë! Dhe janë kaq qorrazi kundër qeverisë, sa tani janë kthyer befas në avokatë gjynahqarë të krimit, që po lënë kokrrën e namit me dokrrat e dembelizmit të tyre mendor”, thotë Rama.