Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara thanë të mërkurën se kanë arritur një marrëveshje mbi një paketë ekonomike të shpëtimit prej 2 trilion dollarësh, për të ndihmuar punëtorët dhe bizneset të përballen me gjendjen e krijuar për shpërthimit të koronavirusit.
Teksti i projekt-ligjit pritet të hidhet për votim në Senat dhe më pas do të dërgohet në Dhomën e Përfaqësuesve.
Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, tha se projektligji është “larg të qenit u përsosur”, por me përmirësimet që i janë bërë gjatë disa ditë negociatash, do të duhej të miratohej shpejt.
“Ne kemi një marrëveshje dypartiake për paketën më të madhe të shpëtimit në historinë amerikane,” tha zoti Schumer. “Ky nuk është një moment festimi, por domosdoshmërie.”
“Ndihma është rrugës”, tha udhëheqësi i shumicës Mitch McConnell.
Ai e përshkroi masën si një lajm të mirë për mjekët dhe infermierët në të gjithë vendin që kanë nevojë për më shumë fonde dhe pajisje mbrojtëse, siç janë maskat, për t’u kujdesur për pacientët me koronavirus, si dhe për familjet që presin të marrin pagesat, si pjesë e një përpjekje për të “injektuar triliona” dollarë në ekonominë amerikane.
“Në të vërtetë, kjo është një shkallë investimesh si në kohe lufte për kombin tonë”, tha zoti McConnell.
Presidenti Donald Trump tha se dëshiron që ekonomia amerikane të rifillojë punën sa më shpejt që të jetë e mundur pasi që urdhrat e izolimit në shumë shtete i kanë mbajtur punëtorët në shtëpi dhe bizneset e mbyllura si restorantet, baret e kinematë.
Paketa e ndihmës synon nxitjen e ekonomisë amerikane duke siguruar pagesa të drejtpërdrejta për më shumë se 90 për qind të amerikanëve dhe një grup të gjerë biznesesh, që do t’i ndihmonte ato të përballonin efektet e tanishme dhe në rritje të pandemisë.
Shumica e familjeve katër anëtarëshe amerikane do të merrnin 3 mijë dollarë, me paketën e ndihmës që do të krijojë program të huave prej 500 miliardë dollarësh për bizneset, qytetet dhe shtetet dhe 350 miliardë dollarë më shumë për të ndihmuar bizneset e vogla të paguajnë rrogat në një kohë kur ka një kërkesë në rënie për prodhimet dhe shërbimet e tyre.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar rreth 55 mijë raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirus dhe deri tash rreth 700 veta kanë humbur jetën nga pasojat e tij. /VOA