Qeveria ka dërguar në Kuvend të gjitha ligjet e paketës anti-KÇK, ndërkohë që sot votohet për të futur me procedurë të përshpejtuar edhe draftin për agjencinë që administron pronat e konfiskuara nga krimi. Projektligji, që shton fuqitë e ministrit të Brendshëm, pritet të votohet bashkë me aktin normativ më 5 mars.
Në fjalën e tij në seancën e sotme, Kryeministri Rama u shpreh se paketa kundër KÇK-së e fut thikën në zemër të krimit të organizuar.
“Ne kemi vendosur të ndërmarrim një ofensivë shembullore si asnjëherë më parë, në të dyja anët e medaljes. Në anën e medaljes që është pasqyrë e fuqisë financiare të krimit të organizuar dhe në anën e medaljes që është pasqyrë e krimit në sistemin e drejtësisë.
Sot ne i japim një fuqi të re ILD duke i dhënë mundësi inspektorit të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve kriminale të gjykatësve, duke kërkuar brenda 3 ditëve pezullimin e tyre nga detyra. I hapim rrugë fillimit menjëherë të hetimeve për gjykatësit në fjalë. Këtyre do t’iu bëhet me keq se Vettingu kur KÇK të materializohet me një vendim. Nuk mund të ketë më një lojë macja me miun.
Ofensiva që po bëjmë nuk është një lojë dhe asnjë nga aksionet e radhës, por një operacion që e fut thikën mu në zemër të krimit të organizuar, duke goditur pasurinë. Burgu për këta nuk mjaft, pasi duhen zhveshur nga pasuria”, u shpreh Rama.