Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Komitetin e Kombëtar të Rindërtimit për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Rama tha se pallatet e dëmtuara, jo si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit, por për shkak të gabimeve në realizim, do të duhet të riparohen nga ata që i kanë ndërtuar.
Në tavolinën e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, kryeministri u shpreh se ka jo pak ndërtesa që janë në këtë kategori, ndërsa paralajmëroi se ata që nuk do t’i rikuperojnë, do të shkojnë në burg.
“Riparimet janë pjesa më e madhe dhe kushtojnë shumë. Inventari është shumë i rëndësishëm, prandaj kemi thirrur ekspertë të huaj për shkak të kësaj lukunie që bën gam-gam. Besimi sot te ndërtuesit është përtokë për shkak të imazhit që krijohet.
Por godinat e reja e kanë përballuar testin. Edhe diçka, ata që i kanë ndërtuar ata që janë dëmtuar, të shkojnë t’i riparojnë ose të përgjigjen para ligjit dhe të shkojnë në burg. Se nuk ka mundësi të riparojmë pallate që kanë shfaqur dëme të rikuperueshme se janë bërë gabime në zbatim. Edhe në këtë kategori ka jo pak dhe të vijnë dhe ata që i kanë bërë dhe t’i riparojnë, ata që janë të riparueshme.
Do të bëjmë dënimin me burg 7-15 për ata që shkelin lejen e ndërtimit. Gjithashtu arkitektët që nuk e denoncojnë ndërtuesin por i shkojnë nga pas, ata janë gardiani. Por edhe përgjegjësi për konstruksionin. Kjo ka qenë një betejë e humbur për vete, e kam humbur…po nuk u vendosën sanksione të forta. Sanksionet duhet të jenë të egra si tërmeti, në vend se ta hanë familjet e pafajshme ta hanë ata që shkelin ligjin”, tha Rama.