I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer theksoi sot në Beograd se vendimi i BE-së për të bllokuar hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte një mesazh i keq për rajonin.
Diplomati amerikan mbërriti sot në Beograd pas vizitave në Prishtinë dhe Shkup në kuadër të vlerësimit të situatës pas vendimit të Brukselit.
Bllokimi, i ardhur nga Franca e mbështetur nga Holanda dhe Danimarka, ka shkaktuar një valë zhgënjimi dhe nervozizmi në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, por gjithashtu edhe mes drejtuesve të vendeve të tjera europiane dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian, që mbështesin hapjen e negociatave.
“Për mendimin tonë, ky është një gabim historik dhe një mesazh i keq për të gjithë rajonin”, deklaroi Palmer për shtypin në përfundim të një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
“Amerika uron një perspektivë europiane për Ballkanin Perëndimor dhe ne do të bëjmë të pamundurën për të bindur BE-në të ndryshojë qëndrimin gjatë samitit të ardhshëm në muajin maj”, theksoi ai.
Matthew Palmer është një prej dy të dërguarve të emëruar nga Uashingtoni në rajon.
Serbia, që negocion anëtarësimin e saj në BE që prej 2014, nuk mund të shpresojë të përfundojë bisedimet pa arritur me Kosovën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.