Papa Françesku ka lëshuar një mesazh të ri kundër abuzuesve me fëmijët dhe angazhimin e tij për të pastruar Kishën Katolike nga priftërinjtë pedofilë.
“Abuzimi me fëmijët është një nga krimet më të fëlliqura, që shkakton dëme të pariparueshme dhe të përhershme”, tha Papa në një fjalim me ambasadorët e akredituar në Vatikan.
“Selia e Shenjtë dhe Kisha në tërësi janë duke punuar për të luftuar dhe parandaluar këto krime që përfshijnë klerin dhe të bëjnë drejtësi për fëmijët që kanë pësuar dhunë seksuale”, shtoi ai.
Papa Françesku është duke përgatitur një samit me peshkopët katolikë të të gjithë botës për të diskutuar krizën e abuzimit me fëmijët.
“Takimi im me peshkopët e mbarë botës, shkurtin e ardhshëm, është menduar si një hap më tej në përpjekjet e Kishës për të hedhur dritë mbi faktet dhe të lehtësojë plagët e shkaktuara nga këto krime”, tha Ati i Shenjtë.