Politika Para në dorë për qytetarët? Rama: Kjo është një kohë lufte. Do...

Para në dorë për qytetarët? Rama: Kjo është një kohë lufte. Do të ndihmojmë vetëm për ushqime

Kryeministri Edi Rama thekson edhe një herë se nuk do të jepen para për qytetarët, por vetëm ushqime për ata që kanë nevojë.

Gjatë një bashkëbisedimi nëpërmjet telefonit me persona të ndryshëm, kreu i qeverisë theksoi se energjia elektrike duhet paguar pasi është një mall që blihet dhe shitet.

Ndërsa ishte duke sqaruar se policia duke filluar nga nesër, do të ndëshkojë, një qytetar i ka rënë numrit të telefonit të kryeministrit.

Gjatë bisedës me qytetarin, kryeministri ka theksuar faktin se ndihma nga shteti do të jetë sa për të mbajtur frymën gjallë në situatën që ndodhemi.

Qytetari i ka kërkuar Ramës ndihmë pasi gjendet në vështirësi për të bërë edhe pagesën e dritave, por kreu i qeverisë ka qenë i prerë, duke thënë se dritat do të paguhen se s’bën.

Biseda me qytetarin:

Rama: Kush i bie këtij telefoni?

Qytetari: Alo? Kush je?

Rama: Edi jam, Edi Rama jam, të mora qëparë unë, ishe në gjumë a si ishte puna?

S’ka problem, sidoqoftë më ke shkruar këtu për një arsye lëvizjeje, ca problemi ke?

Qytetari: Kam punuar në të zezë nuk kemi patur punë në firma bazë, në Greqi kemi qenë, këtu kemi punuar…

Rama: Çfarë arsye lëvizjeje ke?

Qytetari: Na është bllokuar puna dhe ngecëm, nuk marrim asnjë lek. Duam të paguajmë dritat, telefonin po ashtu, ndonjë ndihmë duam…

Rama: Dakord, po këtu ke shkruar arsye lëvizjeje…

Qytetari: Po duam të lëvizim.

Rama: Ku do shkosh, ku?

Qytetari: Do lëvizim andej nga Saranda, nëpër male…

Rama: Cila Sarandë mo vlla, çfarë malesh, të lutem shumë tani, do rrini në shtëpi atje, ne do ju ndihmojmë me sa të kemi mundësi. Nuk është koha për tu ngjit nëpër male tani, hë të keqen vllai..

Qytetari: Po këtu nuk kemi asnjë ndihmë, sikur të na ndihmonit…

Rama: Prandaj po të them, do ju ndihmojmë ne, nuk ke punë nëpër male, çfarë do bësh nëpër male?

Qytetari: Sikur te kishim ndonjë lek nëpër duar të kishim paguar ndonjë kredi… ndonjë ndihmë tjetër…

Rama: Lek nëpër duar nuk ka, do mundohemi të bëjmë çmos për të mbajtur frymën gjallë në këtë kohë, është kohë ekzistence…

Qytetari: Po ato dritat si ti paguaj…ça do bëjmë…

Rama: I dashur, dritat do i paguash se s’bën dhe nga ana tjetër ne do ndihmojmë për të ekzistuar deri kur të hapet dera.

Qytetari: Vetëm mos na presin dritat dhe ujin…këtu është problemi…

Rama: Dritat janë mall, kush i konsumon duhet ti paguajë.

Qytetari: Nuk kemi për momentin ku ti gjejmë…

Rama: Nëqoftëse konsumohen dritat dhe nuk paguhen ne të gjithë përfundojmë në humnerë dhe nuk kemi mundësi të ngremë kokën.

Qytetari: Ndonjë ndihmë ndonjë asistencë, ndonjë diçka…

Rama: Dritat do i paguani dhe kaq dhe çfarë ka mundësi, kur është e domosdoshme për të mbajtur frymën jo për të blerë karta telefoni, ne do ju ndihmojë, të përshëndes dhe shumë të fala në familje.

Më tej kryeministri sqaroi se: “Është e pamundur të hy në diskutimin për dritat se është një mall që prodhohet dhe si i tillë paguhet. Më mirëkuptoni edhe mua kjo është një kohë lufte”.