Kryesore Parlamenti voton Qeverinë e re në Mal të Zi, shqiptarët marrin tri...

Parlamenti voton Qeverinë e re në Mal të Zi, shqiptarët marrin tri ministri

Qeveria e re e Malit të Zi u votua në Parlament mëngjesin e sotëm, me 46 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim.

Kjo është qeveria e 44-t e Malit të Zi dhe do të drejtohet nga Kryeministri Milojko Spajiç.

Nik Gjeloshaj do të jetë zv/Kryeministër për Politikat Ekonomike, si dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Fatmir Deka është emëruar ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve, kurse Marash Dukaj ministër për Administratën Publike.

Postet e tjera ministrore mbahen nga partitë e tjera të koalicionit që përbëjnë këtë qeveri me bazë të gjerë.

Gjatë votimit për qeverinë e re, në sallë nuk ishin të pranishëm deputetët e partisë GP të URA-s, që drejtoi vendin me kreun e saj Dritan Abazoviç në mandatin e kaluar.

Para votimit të qeverisë së re pati debate të ashpra mes ish-kryeministrit Abazoviç dhe pasardhësit të tij, Spajiç.

Sakaq, edhe DPS dhe SD kundërshtuan votimin e qeverisë së re duke argumentuar se ky kabinet është kundër Malit të Zi, është anti-evropian dhe pro-rus.