Aktualitet Pas apelit të familjarëve, vaksinohet Mira Meksi: Më keni prekur shpirtin me...

Pas apelit të familjarëve, vaksinohet Mira Meksi: Më keni prekur shpirtin me solidaritetin

Thirrja e familjarëve dhe miqve të shkrimtares dhe përkthyeses së njohur, Mira Meksi ndaj institucioneve shtetërore për vaksinimin e saj është dëgjuar në kohë.

Sot shkrimtarja ka marrë dozën e vaksinës anti-COVID dhe tani mund të vijojë trajtimin e mëtejshëm të sëmundjes së rëndë nga e cila vuan jashtë vendit.

Lajmin e ka bërë me dije vetë ajo, me anë të një postimi në rrjetet sociale, e cila falënderon të gjithë për solidaritetin dhe forcën që ka marrë për të përballuar sëmundjen.

“Miqtë e mi, dashamirës, jeni aq shumë sa nuk jua përmend dot emrin. Por zemra ime ju njeh të gjithëve. Më keni prekur shpirtin me solidaritetin tuaj, më keni dhënë forcë dhe energji për ta përballuar sëmundjen. Ju jam përjetësisht mirënjohës. Ju uroj së pari shëndet dhe forcë njerëzore në këto kohëra të zeza! Ka dritë në fund të tunelit! Falënderoj nga zemra Kryeministrin Rama dhe Ministren Manastirliu që më mundësuan vijimin e trajtimit të mëtejshëm të sëmundjes! Zoti me ne të gjithë”, shkruan Meksi në “Facebook”.

Shkrimtarja Mira Meksi vuan nga një sëmundje e rëndë dhe duhet të shkojë për kurim në Francë, por për të vijuar trajtimin i duhej të vaksinohej ndaj Covid-19.

Ishin të shumtë miqtë dhe kolegët e saj që u solidarizuan në rrjetet sociale dhe kërkuan nga institucionet shtetërore që Meksi të përfshihej në grupin e personaliteteve që marrin vaksinën kundër COVID19, pasi ajo nuk ka moshën 80 vjeç +, që të vaksinohej mes grupit të parë të personaliteteve.

Mira Meksi është një nga personazhet më të rëndësishëm të artit dhe kulturës në vendin tonë.

Së fundmi, ajo ka rrëmbyer dy çmime letrare: Çmimi i Akademisë Kult për Përkthimin më të mirë me “100 vjet Vetmi” të Gabriel Garcia Markezit në edicionin e 16-të, dhe Çmimin e Letërsisë për Romanin më të mirë për 2019, “Diktatori në kryq”.