Një avion i linjës Lion-Stamboll ka bërë ulje urgjente në aeroportin e Rinasit në Tiranë pasi një afgan 40-vjeçar, i cili ndodhej në bord ka prerë damarët me brisk gjatë fluturimit.
Pasi avioni i modelit “Boeing 737” është ulur në Rinas, janë njoftuar shërbimet e emergjencës të cilët e kanë dërguar afganin në spitalin e Traumës.
Sipas bluzave të bardha, ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Referuar burimeve, afgani ishte i pajisur me pasaportë franceze.
Afgani po merr shërbimin mjekësor në spitalin e Traumës, ndërsa akoma nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti nga ana e tij.
Ndërkohë, udhëtarët e tjerë kanë vijuar fluturimin për në Stamboll pas uljes emergjente në aeroportin e Rinasit.