Presidenti Ilir Meta ka uruar përmes rrjeteve sociale të gjithë besimtarët katolikë dhe ungjillorë të Shqipërisë, në prag të festës së Pashkës.
“Ju uroj nga zemra, juve dhe të gjithë shqiptarëve: Gëzuar edhe për shumë vite Pashkët, festën e Ringjalljes, festën e jetës dhe të dritës! Falë besimit të palëkundur në Zot, që ripërtërihet e shumëfishohet në këtë ditë të shenjtë, le të rigjejmë brenda vetes dhe shoqërisë sonë, forcën dhe kurajon për të menduar, jetuar dhe punuar në harmoni e begati, sinqeritet, solidaritet e bashkëpunim, për një të nesërme më të mirë, për të ardhmen e lumtur të vendit e popullit tonë”, shkruan presidenti Meta.
Përkundër kontekstit aktual politik, mes një krize të thellë përplasjesh dhe mosbesimi, presidenti uron që festa frymëzuese e Pashkës të jetë një moment reflektimi.
“Kjo ditë e shenjtë na ofron sërish mundësinë që secili prej nesh të përmbushë detyrat e përgjegjësitë e veta, jo vetëm para Zotit, por edhe ndaj njëri-tjetrit, çdo ditë e parreshtur, duke u përpjekur që krahas bashkëjetesës së shkëlqyer fetare, t’i vërtetojmë botës e familjes europiane se vlerat e vyera të kombit tonë, me të cilat krenohemi, triumfojnë mbi egon dhe interesat personale të secilit prej nesh. Jam i bindur se shqiptarët gjithmonë kanë pasur aftësinë e mençurinë, por edhe kanë ditur të gjejnë mirëkuptimin e të forcojnë bashkëpunimin për hir të interesit kombëtar”, thekson Presidenti.
Ilir Meta nuk harron të shprehet më tej se momenti i reflektimit duhet të jetë i thellë edhe për vëmendjen që duhet treguar ndaj shtresave në nevojë, të pamundurve dhe të sëmurëve, fëmijëve e të moshuarve, të cilët – siç thotë ai, – meritojnë solidaritet e dashuri më të madhe prej nesh.
“Në vigjilje të kësaj dite të shenjtë, uroj që mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia të mbizotërojë te familjet tona! GËZUAR PASHKËT”, mbyll urimin e tij presidenti Meta.