Opinione PD, a ka gjasa të kthehet më si dikur?!

PD, a ka gjasa të kthehet më si dikur?!

Nga Ben ANDONI

Nuk shprehet më asnjë siguri në analizat që po i bëhen opozitës në Shqipëri se Partia Demokratike si lider e saj do ketë një ngritje të shpejtë. Për të mos thënë se parashikimet janë shumë më të errëta. Realiteti është më i qartë se argumentet dhe shtjellat e mendimeve. Problemet e brendshme janë aq të mëdha në këtë formacion saqë energjia për t’i fashitur ato do veç kohës dhe ide të mëdha, shtuar nga struktura që s’kanë më fare vullnet. Rimëkëmbja duket larg te PD-ja që edhe nga ana strukturale ka marrë goditje të mëdha. Si radhë herë në demokracinë shqiptare, një formacion politik ka një ndarje të tillë mes veti, ku një grup i madh i anëtarësisë e shikon me shumë skepticizëm të ardhmen e vet. Gjysma e kryesisë së Këshillit Kombëtar të PD-së është kundër lidershipit aktual, e ish-deputetët që konsiderohen si senatorë janë tërësisht kundër e falë qasjeve mediatike prodhojnë vetëm baltë ndaj partisë së tyre. Duket se Bashës para se të mendojë hapat e mëtejshëm i duhet të detyrojë të bëjnë dorëheqje pjesës më të madhe të njerëzve të kryesisë, që i ka kundër. Përçarja dhe përfoljet në këtë formacion janë aq të mëdha saqë kanë prekur në thelb vetë vlerat morale të së djathtës shqiptare. Dhe, ky përbën problemin më të madh të saj. Vlerat në zhdukje të zemrës së të Djathtëve. Sikur të mos mjaftojë kjo, kryetari i rizgjedhur i saj, Lulzim Basha që vjen pas humbjeve rresht zgjedhore, jo vetëm nuk ka bërë analizat përkatëse, por në zgjedhjet e fundit brenda partisë së tij mbylli sytë para manipulimeve të mëdha në favor të tij. Kjo e shton krizën e besimit dhe mbi të gjitha bjerrjen e një partie, që po kap kuotat më të ulëta, që prej krijimit.

E parë nga jashtë situata e PD-së është më e pashpresë kur mendon se ndikimi i Berishës, kryetarit të nderit, është ende tejet i madh dhe domethënës. Ky ndikim në formë paradoksale nuk është vetëm te Basha, e nuk ishte vetëm te zgjedhjet e fundit për kryetar të PD-së, por është edhe te vetë grupi anti-Basha, që në asnjë moment nuk diti t’i tregojnë vijat e kuqe Berishës dhe të gjithë shpurës së tij aq problematike.

Në këto kushte, paçka se ka optimistë që besojnë se Basha do forcohet, kjo falë dhe gabimeve të pashmangshme që pritet të bëjë në mandatin e dytë qeveria Rama, një gjë është mirë e dukur. Demokratët nuk bëjnë dot opozitë të vërtetë, përveç momentit, kur kryetari i pozitës Edi Rama, tashmë do ta faktorizojë në parlament nga atakimet dhe debatet personale vetë kryetarin e opozitës. Tashmë Rama do të jetë realisht paterica e Bashës, duke e atakuar në vend të Berishës, që s’do ketë me minutashin a pa limituar në parlament. Basha, gjithsesi, do të duket disi më shumë, pasi Partia Demokratike do të përfaqësohet nga një grup që është dukshëm pa identitet dhe me emra shumë larg frymës që besohet të përfaqësojë të Djathtën. E kur mendon se tamam fryma është ajo që ka humbur te ky formacion, atëherë llogaritë bëhen trishtuese. Kësaj i shtohet edhe fakti se fashat shoqërore që përfaqësonte dikur, tashmë nuk i përgjigjen për asnjë arsye PD-së. Për të mos thënë që kauza e tyre, të përndjekurit dhe pronarët e vërtetë, tashmë kërkohet më shumë nga PS-ja, partia që anatemohej dhe për ironi po përpiqet të zgjidhë disa prej problemeve të tyre.

Në të gjithë këtë tollovi, Partisë Demokratike i mbetet të thërrasë tamam ato vlera që ky formacion i ka bjerrë prej larshmërisë së tij ideologjike, strukturore dhe njerëzore. Ideologjia e djathtë e vërtetë, që i shkon më shumë konservatorizmit, mund të përbëjë diferencën, por edhe pjekjen reale të Bashës. Por a ka njerëz që e përfaqësojnë atë dhe frymë për t’iu rikthyer PD-së? Për momentin ka vetëm ideologë të rinj, por jo përfaqësues realë. Vetë Bashës, pas tollovive që ka kaluar në Parti dhe në realitetet me çadrën, tashmë i duhet identiteti i tij në këtë mandat prove. Dhe, ky, nëse do të arrihet, duhet të jetë larg Berishës. Me çdo çmim. Ky është shërimi, por edhe mundësia që njerëzit të besojnë në Partinë Demokratike. Edhe pse është më e vështirë ta ndash PD-në nga simbolika e saj propagandistike, sesa nga imazhi dhe dora e Sali Berishës, por kjo bjerrje e PD-së do të vazhdojë nëse nuk veprohet ndryshe se deri më tani. Pra, ndarja nga Berisha dhe afrimi me konservatorizmin klasik shqiptar dhe atë të riun që do përsoset me afrimin e të rinjve, mund të përbëjë rrugën e vetme, që PD-ja të rikthehet. Dhe, kush nuk do të donte kthimin e vërtetë të Partisë Demokratike në fuqinë e vlerave të saj!