Po të isha edhe unë njëri ndër ata zyrtarë që jetojnë në vila me disa kate pa zënë kurrë një punë me dorë, nuk do ta doja Reformën në Drejtësi. Po të isha ndër ata që kanë fshehur miliona euro në Qipro, apo kanë blerë hotele në Spanjë do ta urreja me shpirt zonjën Vlahutin. Po të kisha mbledhur përqindje nga bizneset në këmbim të lejeve, do ta luftoja Ambasadorin Lu.
Nëse do kisha marrë çanta me euro për tendera multi-milionëshe, nuk do lija gur pa lëvizur që drejtësia të mos bëhet. Do gërmoja çdo justifikim, do lëpija çdo prapanicë, do përdëllehesha në çdo televizion për demokracinë, do thoja gjithçka, do mallkoja çdokënd, do përdorja çdo njeri, do thurja çdo marrëzi, sado të dëshpëruar, që Drejtësi të mos ketë. Më pëlqen një vend ku drejtësinë mund ta blej në Gjykatë, kam aq para sa të shkel mbi çdo fukara. Korrupsioni më ka pajisur me kartën e paprekshmërisë.
Po të isha i krimbur në para të bëra me drogë e me prostitucion do ta luftoja çdo rrezik që më kanosej. Afërmendsh, do preferoja një sistem ku drejtësinë mund ta blej. Ku për shumën e duhur, gjykatësi jep vendimin e kërkuar, e ku për shifrën e saktë, prokurori e mbyll dosjen vetë. Po të isha një parazit politik, një maskara i rrezikuar nga zullumet e mia, do paguaja me flori për të blerë analistë, gazetarë, këshilltarë, protestues për të blerë kohë, për të shtyrë më tej, për të shpresuar edhe një ditë më shumë, se drejtësi nuk do të ketë, për tu lutur edhe një natë tjetër, që Shqipëria të mos bëhet kurrë.
Po të isha një ish zyrtar që ka bërë mjaftueshëm për të bërë ca vite burg, si homologët në Kroaci a Rumani, do rekrutoja çdo fundërrinë, do premtoja diellin e hënën, për të shpëtuar lëkurën time. Po të kisha në ndërgjegje faktin se kam bërë mjaftueshëm për të parë muret e brendshme të një qelie për një kohë të gjatë, do isha tani duke u djegur, si qiriri i Naimit, gjoja për një Shqipëri më të mirë, po, do isha i gatshëm të bëja çdo gjë, vetëm për të shpëtuar plaçkën time të vjedhur.