Nga Lira Gjika, pediatre
-Fëmija im flet vetëm anglisht. E di sa mirë flet, si anglez i vogël. Sa e lumtur që jam. Po shqip flet? Jo mi, e ç’i duhet shqipja sikur do të rrijë në Shqipëri djali im. Djali im do të iki jashtë shtetit, – fliste nëna gjithë vendosmëri dhe krenari.
-Po ti si i flet?
-Unë? Po anglisht mi i flas. Kam hyrë në kurs edhe unë, që të mësoj anglisht.
Ky dialog i zhvilluar në një lokal në Tiranë nuk është i vetëm. Kjo mënyrë të menduari dhe të sjelluri të nënës dhe jo vetëm të nënës, po edhe të babait, është një gjë e zakonshme sot.
Prindër, që i nxisin fëmijët të mësojnë gjuhë të huaja është një gjë shumë e mirë sidomos për trurin e fëmijës, por t’i mohoni nga gjuha e vendit, e origjinës, nga gjuha që jo vetëm prindërit flasin po edhe gjyshërit, është e dëmshme për vetë fëmijën për trurin dhe mendjen e tij. Kjo mënyrë e bën fëmijën të huaj me veten dhe krijon problem në karakterin e tij.
Jo rastësisht në Amerikë, Angli dhe vende të tjera, u hapën shkolla për gjuhën e origjinës të emigrantëve pasi minimizon probleme të shëndetit mendor dhe aftësisë për të nxënë apo mësuar të fëmijëve, të cilët janë bijë emigrantësh.
Përçmimi i gjuhës së origjinës është problem personaliteti i prindërve që rrisin fëmijët në këtë mënyrë dhe prindërit që kanë problem personaliteti ndikojnë negativisht apo i përcjellin fëmijës problemet e tyre.
Njeriu nuk ka mundësi tjetër për t’u bërë përveçse gjuhës dhe fjalëve. Mohimi i gjuhës së origjinës dhe mësimi i një gjuhe të huaj në vend të saj është sikur e vendosim mendjen e fëmijës jashtë vetes së tij.
Prindër edhe pse i largoni fëmijët nga vendi dhe nuk ia mësoni gjuhën shqipe ata prapë bijtë tuaj mbeten. Zhdërvjelltësimi në gjuhën e origjinës ia lehtëson të mësuarin e gjuhës së huaj fëmijës, prandaj mos ia vështirësoni të mësuarin edhe pse ju duket se flet rrjedhshëm. Gjuha nuk është ca fjalë të thëna mirë apo rrjedhshëm.