Sport Perez: Zidane ka ëndërr të drejtojë Francën, Ramos nuk pranoi rinovimin

Perez: Zidane ka ëndërr të drejtojë Francën, Ramos nuk pranoi rinovimin

Ka qenë një verë ndryshimesh të rëndësishme te Real Madridi. Sergio Ramos dhe Zinedine Zidane janë larguar nga klubi, ndërsa tema e Superligës Europiane e ka shënjestruar fort klubin madrilen. Florentino Perez kërkon të shmangë polemikat e mëtejshme, duke pretenduar se nuk e ka lexuar letrën e lamtumirës së “Zizou”, madje shkon aq larg sa thotë se nuk beson që francezi e shkroi atë.

Unë e njoh atë (Zidane). Ka qenë një vit i vështirë, luftova që ai të qëndronte, – i tha Perez programit “Transistor” të “Onda Cero”. – Nuk e kam lexuar letrën e lamtumirës, ​​ju betohem në emër të nipërve dhe mbesave të mia. Personi që e shkroi atë letër nuk ishte Zidane. Unë i uroj atij më të mirën, ka qenë një legjendë për Real Madridin. Zidane ka gjithë mirënjohjen tonë. Ai ka ëndërr të bëhet trajner i Francës dhe jam i sigurt që do ta arrijë atë”.

Largimi i Ramos

Largimi i Ramos ishte një burim i gjatë zhgënjimi për tifozët, veçanërisht ata që menduan se ai duhej të dilte në pension me Real Madridin, ku ishte kapiten. Megjithatë, Perez beson se u bënë të gjitha përpjekjet për të rinovuar me mbrojtësin: “E dua Ramosin si djalin tim, unë e solla këtu më 2005 dhe kurrë më parë nuk kam dalë në një konferencë shtypi me një lojtar. Kam një admirim të thellë për të, ka qenë një legjendë dhe donim që ai të qëndronte. Ne i ofruam një kontratë, kishte afat për ta pranuar, por nuk e bëri të qartë zgjedhjen. Kjo është shtëpia e tij dhe ai do të kthehet me siguri në një rol tjetër”.

Kylian Mbappe

Natyrshëm, nuk mund të mungonte pyetja mbi Kylian Mbappe, një ëndërr e madhe e tij: “Mbappe është një nga lojtarët më të mirë në botë, sigurisht. E di çfarë duan tifozët dhe nuk flas për lojtarët e të tjerëve, sepse do të ishte mungesë respekti. E njëjta gjë vlen edhe për Haaland. Kot ngulmoni, nuk flas rreth tyre”.

Me ikjen e Ramos, cili do të jetë kapiteni i Real Madridit? E zbulon presidenti: “Marcelo do të jetë kapiteni ynë sezonin e ardhshëm. Është e vështirë të gjesh një mbrojtës tjetër të majtë si ai. Marcelo dhe Roberto Carlos kanë qenë më të mirët në histori”.

“Nuk pata asnjë kontakt me Allegrin dhe Pochettinon”

U përfolën disa emra për ta zëvendësuar Zinedine Zidane në stolin e Real Madridit, por Florentino Perez thotë se kontaktoi direkt Carlo Ancelottin dhe askënd tjetër: “Ancelotti nuk ishte zgjedhja e tretë ose e katërt. Ne kurrë nuk kemi folur me Conte, Allegri ose Pochettino. Jemi të kënaqur me kthimin e Ancelotti dhe Pintus. Një cikël i ri po fillon. Ne kemi një ekip të shkëlqyeshëm. Real Madridi gjithmonë punon për të pasur më të mirët. Ne kemi të rinj të shkëlqyeshëm, që duhet të vlerësohen”.