Kosova Përvjetori i Jasharajve, Albin Kurti: Ç’përfaqësojnë datat e lindjes dhe vdekjes së...

Përvjetori i Jasharajve, Albin Kurti: Ç’përfaqësojnë datat e lindjes dhe vdekjes së Bacës Adem

Kryeministri Albin Kurti foli në parlament në kuadër të përvjetorit të radhës së Epopesë së Jasharajve në Prekaz, duke zbuluar dy koiçidenca, sipas tij kuptimplota, në lindjen dhe vdekjen e Bacës Adem.

“Në tre ditë të qëndresës heroike, ranë 59 dëshmorë. Në mesin e tyre 17 gra dhe 9 fëmijë. I lindur në Ditën e Flamurit më 28 nëntor, e i rënë heroikisht më 7 mars në Ditën e Mësuesit, Adem jashari thuhej se ishte i destinuar të bënte histori”, tha Kurti.

Sipas tij, vërtet ishte NATO-ja ajo që e çliroi Kosovën, por Jasharajt janë po aq meritorë për lirinë.

“Me Jasharajt çuditen vetëm ata që nuk e dinë historinë e tyre. Lirinë që e gëzojmë sot e kemi nga dëshmorët dhe martirët. Faktor tjetër është NATO ndërsa më pas janë kontributet e secilit prej nesh”, theksoi shefi i qeverisë së Kosovës.

Kurti veçoi bilancin e asaj lufte heroike me serbët, duke theksuar se  “në tre ditë të qëndresës heroike, ranë 59 dëshmorë. Në mesin e tyre 17 gra dhe 9 fëmijë”.

Fjala e plotë e Albin Kurtit

Ju falemnderit Kryetare e Kuvendit Znj. Vjosa Osmani,

E nderuara Familje Jashari,

Të nderuara familje të dëshmorëve,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Shkëlqesi ambasadorë, diplomatë të nderuar e mysafirë të tjerë të nderuar,

Të nderuar punonjës të medieve,

Sot është datë e shënuar për historinë e vendit tonë. 22 vite më parë, me 5 mars, forca të shumta të policisë e ushtrisë serbe, me tanke e me artileri kishin rrethuar shtëpitë e Jasharajve në Prekaz. Po sulmoheshin sërish, sepse ishin sulmuar edhe në dhjetor 1991 e në janar 1998. Asnjë sulm nuk i zmbrapste e nuk i dobësonte por vetëm sa i forconte. Për tre ditë rresht do të luftonin tre breza bashkë. Tre breza të një familje të madhe u flijuan për të ardhmen dhe për neve. Nga Shabani e Zahidja që ishin 74 vjeçarë te Igballja 11 vjeç, Blerina 7 vjeç e Kushtrimi 13 vjeç.

Hamza e Ademi bashkë me Zarifen, Hidajeten, Adilen, Feriden dhe Selveten, luftuan dhe u sakrifikuan sepse e deshën lirinë dhe tokën më shumë se jetën. Baca Shaban me djemtë Ademin dhe Hamzën, me gratë e tyre, por edhe me nipa e me mbesa, vajza e djem. Në ato tre ditë e netë të qëndresës epike në Prekaz, 59 dëshmorë ranë për lirinë e atdheut, nga të cilët 18 gra e 10 fëmijë.

I lindur në 28 nëntor për Ditën e Flamurit e i rënë në 7 mars në Ditën e Mësuesit, Adem Jashari thua se ishte i destinuar të bënte historinë. Babai i tij, Shaban Jashari, i martuar me Zahiden, mbesën e Shaban Polluzhës, ishte mësues, patriot dhe çlirimtar i cili nuk dinte të nënshtrohej dhe i cili mbolli ndjenjën e patriotizmit dhe lirisë te fëmijët e tij.

Liria e proklamuar për shqiptarët, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte zëvendësuar me një robëri të egër ende pa mbaruar mirë lufta. Kryengritjet e Azem e Shote Galicës, para kësaj të Ahmet Delisë e çetës së kaçakëve, e sidomos më pas kryengritja e armatosur e shqiptarëve në vitin 1945 e prirë nga Shaban Polluzha, që të gjitha këto, lanë gjurmë të thellë te formimi i personalitetit të Shaban Jasharit. Ai mbante kontakte me Dervish Koprivën, një patriot i cili nuk pajtohej me robërinë e re. Pushteti i atëhershëm, duke i rënë në gjurmë këtij aktiviteti, në vitin 1952, e burgos Shaban Jasharin dhe për pasojë e largojnë përgjithmonë nga arsimi. Ky është momenti kur Baca Shaban përballet me masa të ashpra të izolimit dhe lëçitjes si formë e presionit të organizuar shtetëror.

Përkundër këtij presioni dhe izolimi, baca Shaban ruan një autoritet të jashtëzakonshëm moral e patriotik në popull. Në vitin 1968, ai së bashku me Hamzën merr pjesë në demonstrata dhe aksione të vendosjes së flamujve kombëtar në Skënderaj. Shabanit dhe Hamzës, ju bashkëngjitet edhe Ademi duke qenë pjesë aktive e demonstratave të vitit 1981. Nga ky vit e tutje, deri në 1991, kur përfundimisht përcaktojnë formën e veprimit me armë në dorë, nuk kishte demonstratë, grevë apo tubim ku Baca Shaban me djemtë nuk merrnin pjesë.

Në vitin 1991, ata marrin pjesë në stërvitjet e para ushtarake te organizuara në Republikën e Shqipërisë. Ishin disa grupe qe kishin marrë pjesë në ato stërvitje, prandaj dekonspirimi i tyre ishte rrjedhojë e aksionit të arrestimeve dhe mbledhjes së armëve dhe municioneve të sjella nga Shqipëria. Në atë valë arrestimesh ishin futur në listë edhe Adem Jashari dhe grupi i Drenicës, kështu që në natën e 30 dhjetorit 1991, kullës se Jasharajve ia mësyjnë forca të shumta të policisë serbe. Atë natë, llogaria serbëve nuk u doli. Ata kishin menduar (në bazë të informacioneve që kishin mbledhur), të arrestonin Ademin dhe Muratin (këta të dy ishin në stërvitje ushtarake) dhe të merrnin me vete edhe armatimin dhe municionet që kishin.

Llogaritej se shqiptarët duheshin nënshtruar dhe poshtëruar pa guxuar të kundërshtonin. Mirëpo ndodhi e kundërta. Ndodhi ajo që pak kush e kishte pritur. Ndodhi fillimi i një epoke të re për neve. Ndodhi fillimi i një lufte të armatosur guerile e cila nuk do shuhej më, deri në çlirimin e Kosovës. Tre djemtë e Bacës Shaban, Rifati, Hamza dhe Ademi, atë natë u përgjigjen me armë forcave serbe duke luftuar dhembë për dhëmbë, madje edhe në distanca shumë të afërta. Rezistenca e tyre i befasoi policët e ushtarët serbë dhe të gjendur para një situate të cilën nuk e kishin pritur, kërkojnë përforcime duke mbajtur pozicionet përreth kullave të Jasharajve. Të gjendur para kësaj situate dhe mbarimit të municionit, të tre Jasharët, Rifati, Hamza dhe Ademi, çajnë rrethimin dhe pozicionohen në malin përball kullave. Aty bashkohen edhe me shokët tjerë të grupit dhe për një kohë vëzhgojnë me kujdes situatën. Municionet e pakta qe kishin, nuk u lejonin mundësinë edhe të ndonjë sulmi taktik, prandaj vendosin që nga ai moment të ndërronin metodën e veprimit. Duke qenë se atë natë forcat serbe patën edhe humbje (të paktën një i vrarë dhe disa të plagosur), së bashku me grupin e Drenicës të cilit i printe Ademi, morën një vendim, e ky është vendimi më i rëndësishëm jo vetëm në jetën e tyre por edhe tonën: asnjëherë të mos dorëzoheshin, dhe, gjithmonë të qëndronin dhe vepronin në Kosovë; asnjëherë të mos dorëzoheshin dhe asnjëherë të mos e lëshojnë Kosovën. Ky ka qenë vendimi më i rëndësishëm edhe për neve, porse ne nuk e kemi ditur. Dhe filluan që ta shtrinin rrjetin e rezistencës gjithandej vendit tonë. Ky vendim ishte sihariqi i lirisë, prandaj nga ai moment, veprimet dhe lëvizjet e grupit te armatosur u bënë shpresa e lirisë se Kosovës. Aty edhe ndahen detyrat. Me që lufta ishte veçse në fillim, baca Rifat udhëzohet qe të kthehet në Gjermani sepse tani e tutje, përveçse për grupin, duhej kujdesur edhe për familjen.

Brenda për veprim mbeten Hamza e Ademi me familje dhe me grupin i cili rritej dhe forcohej çdo ditë e më shumë. Kjo tregon se si Jasharajt janë bërthama e ushtrisë sonë, se në familje i ndajnë detyrat: është komandanti për logjistikë baca Rifat, është komandanti për moral dhe politikë baca Shaban dhe kryekomandanti Ademi e bashkë me të edhe vëllai Hamza. Pra ndahen detyrat në familje dhe këtu është bërthama e ushtrisë në të cilën po ashtu do të ndahen detyrat. Gra e burra bashkë, djem e vajza bashkë.

Organizimi i bazave, kontaktet dhe rritja e grupit, furnizimi dhe mbështetja me armë dhe municione ishin detyrat e vazhdueshme në fillim. Më pastaj, me zgjerimin e rrjetit të rezistencës, fillojnë edhe aksionet e shumta goditëse ndaj policisë dhe forcave serbe si dhe ndaj objekteve me rëndësi. Nga 30 dhjetori i viti 1991, kishte filluar një etapë tjetër dhe çdo aksion i armatosur mbante vulën dhe guximin e Adem Jasharit dhe Familjes së tij. Edhe pse Ademi nuk mund të ishte gjithkund prezent ne secilin aksione, gjithmonë mbahej i informuar dhe gati të gjitha aksionet kishin aprovimin e tij. Adem Jashari ishte Kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, sepse për shtatë vjet, asnjëherë nuk e braktisi luftën dhe idealin për liri dhe gjithnjë qëndroi në Kosovë, gjithmonë me popullin dhe me vuajtjet e tij.

Është interesante dhe me vlerë të përmendim momentin pas sulmit të 30 dhjetorit 1991. Të nesërmen e sulmit vijnë forca shtesë të policisë dhe komandanti serb i rrethimit i drejtohet bacës Shaban: Çka po kërkojnë ata djemtë e tu, kur i paskan të gjitha. Ja shih, paskeni shtëpi dhe pasuri si askush në këtë rrethinë? Dhe, baca Shaban, i përgjigjet shkurt: Na mungon liria, atë nuk e kemi.

Disa herë mundohen që ta bindin bacën Shaban që t’ua përcjell mesazhin djemve qe të paktën le të dalin jashtë shtetit dhe në këmbim nuk ju bezdisim, por të gjitha këto përpjekje ju shkuan huq. Ata ishin betuar se nuk do braktisnin vendin dhe idealin për liri. Nuk u dorëzuan dhe nuk u ligështuan as në sulmin e dytë me 22 janar 1998, kur forcat serbe kryen një sulm të shpejtë dhe u zmbrapsen. Aty mbeten të plagosura vajza e Rifatit, Ilirijana dhe Selvetja e Hamzës.

Madhështia e Kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes se tij e 7 viteve të përballjes do arrinte kulmin në marsin e 1998 kur nuk lejuan që fara e lirisë e mbjellë me aq mund, të mbyllej me ndonjë tërheqje apo marrëveshje kompromisi në shkëmbim të lirisë së tyre personale. Ata me veprimet, organizimet dhe qëndresën e palëkundur të tyre e kishin thënë shumë hera: Më e shtrenjtë është liria sesa jeta!

Jasharajt janë UÇK-ja para UÇK-së. Pa rezistencën, luftën dhe qëndresën e Jasharajve nuk do të kishte UÇK e pa Ademin e Hamzën nuk do të kishte komandantë të UÇK-së.

Për Jasharajt, flijimi i tyre nuk ishte diçka e jashtëzakonshme. Ata ishin të përgatitur jo vetëm një jetë të tërë, por shumë breza jete. Me Jasharajt çuditen vetëm ata që nuk e dinë historinë e tyre. E Jasharajt nuk fillojnë në mars 1998, as në janar 1998, as në 1991, as në 1981, as në 1968, e që besa as në 1952 kur u arrestua baca Shaban, sepse të gjithë këta vijnë nga Prekazi, ky kryevend i kryengritjes së paepur shqiptare.

Rënia heroike e Jasharajve, e kryekomandantit Adem Jashari, është një pikë kthese në historinë e Kosovës. Rënia e tyre shpërfaqi fytyrën e vërtetë të shtetit serb si asnjëherë më parë, i dha shtytje mobilizimit të ushtrisë çlirimtare dhe mbi të gjitha bashkoi popullin përballë një armiku që na kërkonte të ndarë e të përçarë.

Prandaj, çdo vit, pavarësisht dallimeve e bindjeve tona, ne bëhemi bashkë për të nderuar një familje që i dha gjithçka vendit.

5, 6 e 7 marsi po aq sa janë ditë përkujtimi janë edhe ditë reflektimi shoqëror – janë ditët kur ne ndalemi dhe mendojmë për të tashmen ku jemi e si jemi dhe të ardhmen që na pret. Këtë e bëjmë për çdo ditë e përherë sepse vetëm duke kujtuar sakrificën e atyre që ishin në gjendje të jepnin gjithçka mund të matim punën dhe progresin tonë edhe si individë por edhe si shoqëri.

Janë ditët kur ne pyesim veten, nëse punët tona të përditshme kontribuojnë sado pak drejt idealit që ata kishin për ne.

Këto pyetje duhet të ja bëjmë vetes, secili nga ne, përditë, sepse ata nuk luftuan vetëm dy ditë e as tre ditë, ata nuk luftuan për pak shtet e për pak republikë, ata dhanë gjithçka nga vetja që ne të mund të arrijmë gjithçka që na takon.

Lirinë që e gëzojmë sot e kemi para së gjithash nga dëshmorët e martirët e kombit, e aty, mbi të gjitha, nga Jasharajt. Faktori tjetër është NATO-ja dhe ndërhyrja kundër Jugosllavisë së Milosheviqit. E, vetëm më pas, janë kontributet e të tjerëve, të të gjithë neve që mbetëm gjallë.

Nëse ngatërrojmë këtë renditje, atëherë do të ngatërrojmë hapat në të tashmen e do të mund të rrëzohemi në të ardhmen. Ata që u vranë nga Serbia, ata që e bombarduan Serbinë, të gjithë të tjerët që kontribuuan. Kjo është renditja e duhur, e drejtë, e mirë.

Sa herë që na sulmojnë, sa herë që na rrethojnë, sa herë që ndokush lodhet a mërzitet ca, le të mos ankohemi, por le të kujtojmë Jasharajt, që nuk u nënshtruan. Punën më të madhe të arriturave tona na e kryen dëshmorët e martirët. Ata që nuk janë me neve fizikisht, por duke ju falënderuar atyre ne kemi institucione e shtet, liri dhe pavarësi, ndonëse ende jo ashtu siç ata e deshën e për çfarë u flijuan. Ata e kanë kryer pjesën më të madhe e kryesore të progresit kombëtar e shoqëror në histori. Qeverisë e Kuvendit i ka mbetur pjesa më e vogël, pjesa më e lehtë.

Jasharajt nuk na lënë të harrojmë por as të gabojmë.

Kujtimi për ta na udhëzon për punë të mira, ecje të drejtë dhe na e përkujton se rruga jonë ende nuk ka mbaruar.

Ju falemnderit.