Bota Peshkatarët irlandezë “mundin” Marinën ruse, anulohet stërvitja ushtarake për shkak të merlucit

Peshkatarët irlandezë “mundin” Marinën ruse, anulohet stërvitja ushtarake për shkak të merlucit

Peshkatarët irlandezë morën një fitore të rëndësishme në betejën e tyre kundër Marinës ruse, që pretendonte të zhvillonte stërvitje ushtarake brenda zonës ekskluzive ekonomike të ishullit.

Pas kërcënimit të peshkatarëve që do të pengonin zhvillimin e stërvitjes në jugperëndim të Irlandës, Kremlini më në fund u tërhoq. Ambasadori rus në Dublin, Yury Filatov, tha se Rusia po tërhiqej në shenjë “mirësjelljeje”.

Vendimi i Rusisë u mor pasi peshkatarët irlandezë thanë se do të dërgonin 60 varka peshkimi mes anijeve luftarake ruse, për të penguar zhvillimin e stërvitjes. Fillimisht, ambasadori tha se stërvitja ushtarake do të ndodhte 200 kilometra larg qytetit Kork dhe nuk kishte dijeni se do të lëshoheshin predha. Por peshkatarët thanë se ajo zonë është e mbushur me rreth 500 milionë tonë merluc, që do të largohej prej aty nga tronditja e shpërthimeve.

Vendimi për t’u tërhequr u përshëndet nga Shoqata Irlandeze e Përpunuesve dhe Eksportuesve të Peshkut dhe u mirëprit nga ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney.

E gjithë situata mori edhe më shumë vëmendje për shkak të tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit, si dhe alarmit për një pushtim të mundshëm të Ukrainës nga ana e Moskës. Rusia i hedh poshtë akuzat se po planifikon të futet në Ukrainë, por kërkon që vendi fqinj të mos anëtarësohet në NATO, kërkesë e hedhur poshtë nga SHBA-ja dhe Aleanca e Atlantikut Verior.