Kryesore Pfizer dhe BioNTech japin të dhënat e fundit: Vaksina është 95% efektive...

Pfizer dhe BioNTech japin të dhënat e fundit: Vaksina është 95% efektive dhe pa efekte anësore serioze

Kompania Pfizer dhe partneri i saj BioNTech, bëjnë me dije se një analizë tjetër nga faza e tretë e testimit të vaksinës kundër koronavirusit ka treguar se ajo është 95% efikase në parandalimin e infeksionit, madje dhe te të moshuarit si dhe nuk paraqet rreziqe.

Kompania numëron 170 raste të infektimit me koronavirus mes vullnetarëve që morën pjesë në testim. 162 prej tyre ishin persona që iu ishte injektuar një placebo, ndërsa 8 rastet e tjera kishin marrë vaksinën, gjë që nënkupton që efikasiteti i saj është rreth 95%.

Javën e kaluar, kur bëri dhe prezantimin, Pfizer deklaroi se vaksina e saj është mbi 90% efikase, një shifër kjo që kënaqi dhe u prit me entuziazëm nga shumë zyrtarë të shëndetësisë dhe prodhues vaksinash.

“Efikasiteti është i qëndrueshëm për çdo moshë, racë apo etni. Në moshat mbi 65 vjeç ai është në nivelin 94%”, thuhet në deklaratën e fundit të Pfizer dhe BioNTech.

Gjithashtu ato shtojnë se një grup i pavarur ka monitoruar rezultatet dhe efektet anësore dhe kanë arritur në konkluzionin se vaksina nuk paraqet asnjë shqetësim për shëndetin.

“I vetmi efekt anësor i padëshiruar që është regjistruar është lodhja pas marrjes së dozës së parë apo të dytë, por edhe kjo në nivele të vogla që arrin në 3.7%”, thanë kompanitë.

Të rriturit kanë tendencë të kenë më pak efekte anësore dhe ata që kanë pasur, ishin të buta.