Kosova Pjesë e grupit që trafikoi 400 mijë euro drogë në Tiranë, Vetëvendosje...

Pjesë e grupit që trafikoi 400 mijë euro drogë në Tiranë, Vetëvendosje përjashton asamblistin

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, përmes një postimi në  në Facebook, ka bërë të ditur se i arrestuari për trafikim droge në Shqipëri, Besnik Mujeci, është përjashtuar nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asamblistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Disiplinor i LVV-së menjëherë ka trajtuar këtë rast. Si rrjedhojë Komisioni Disiplinor i Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje”, shkruan Rama.

Sipas tij, LVV-ja mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme janë absolutisht të patolerueshme dhe do të luftohen e ndëshkohen.

Besnik Mujeci u arrestua të hënën në Tiranë nën dyshimet për trafikim droge.

Mujeci ishte në mesin e pesë të arrestuarve në Tiranë nën dyshimin për trafikim droge. Sipas Policisë, ky grup u kap me mbi 11 mijë doza droge, në vlerë prej 400 mijë eurosh.

Largimin e Mujecit nga të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje e ka njoftuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Veprimet për të cilat është arrestuar Besnik Mujeci, sipas Haxhiut, janë krime të rënda dhe institucionet e drejtësisë duhet të marrin vendim të merituar.