Aktualitet Po transportonin 20 kg marijuanë nga Vlora në Tiranë, arrestohen në Durrës...

Po transportonin 20 kg marijuanë nga Vlora në Tiranë, arrestohen në Durrës 5 të rinj

Policia e Durrësit ka arrestuar pesë të rinj për trafikim lënde narkotike si dhe ka sekuestruar një sasi prej 20 kg marijuanë. Gjithashtu, policia thotë se, ka sekuestruar dhe një sasi prej 180 gramë kokainë, ekstazi dhe fara kanabisi për kultivim.

Të rinjtë e arrestuar po udhëtonin me dy automjete të ndryshëm në aksin rrugor Kavajë-Durrës dhe u ndaluan nga policia në vendin e quajtur “Plepat”.

Ndërhyrja erdhi pasi, policia kishte siguruar informacion në rrugë operative për transport të lëndëve narkotike nga Vlora drejt Tiranës.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Golf” u gjet sasia prej 20 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë.

Po ashtu gjatë kontrollit në banesën e drejtuesit të këtij automjeti u gjet dhe një sasi prej 180 gramë kokainë, ekstazi dhe disa fara kanabisi.

Ndërsa në automjetin e dytë tip “Passat”, që shërbente për të kontrolluar nëse kishte punonjës policie apo pika kontrolli në rrugë, u arrestuan katër persona.