“Capitanooooo”, ishte komenti i lënë nga Paul Pogba në statusin e kapitenit të Juventusit, Bonucci, pas ndeshjes në Moskë dhe kualifikimit në fazën e grupeve të Champions-it. Menjëherë, shumë dëshira për rikthim, një seri “emoje” adhuruese për francezin e kështu me radhë, nga tifozët bardhezinj për kampionin e botës. Pas komentit te Leonardo Bonucci në Instagram, adhurimi që ekziston në Torino për Pogba është shpalosur edhe një herë. Një histori dashurie, ajo mes francezit dhe Juventusit, e cila nuk është ndalur asnjëherë plotësisht. Dhe kjo, në një kohë të shkurtër, mund të fillojë përsëri.
Në fakt nuk është mister që klubi bardhezi, verën e këtij viti mendoi për rikthimin e Pogba, gjë që u kundërshtua nga “Djajtë e Kuq”. Operacioni u hodh poshtë shpejt, sepse llogaritë nuk dilnin. Paratici duhej të shiste para se të blinte dhe Manchester United, megjithë mospjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, nuk dha shenja se dëshiron ta lërë lojtarin e vet të largohet. Dëshira për ta rimarrë Pogba, megjithatë, nuk ka vdekur kurrë për Juventusin. Edhe tani, sipas “Tuttosport”, mund të favorizohet nga momenti delikat që po përjeton Manchester United, shumë mbrapa në Premier League dhe pa ndonjë shkëlqim në “Europa League”.
Nëse gjatë verës, anglezët nuk ranë kurrë nën kërkesën 150 milionë euro për francezin, tani mund të detyrohen të rishikojnë pretendimet e tyre. Natyrisht, në rënie. Pogba, në thelb, mund të kthehet në Torino për shumën e 120 milionë eurove. Kjo, edhe për shkak se skadimi i kontratës së tij, megjithë mundësinë e rinovimit automatik edhe për një sezon tjetër, po afron: qershor 2021. “Kthimi i tij në Torino është më shumë sesa një hipotezë dhe Juventusi është gati ta mbështesë operacionin”, – zbulon “Tuttosport” në faqen e parë. Gjithnjë e më shumë po shtohen zërat për një eksperiencë të dytë të Pogba me “Zonjën e Vjetër”, pak më shumë se tri vite pasi u transferua te Manchester United, aty ku francezi e kishte filluar karrierën e tij profesionale.
Në radarin e “Djajve të Kuq” ka më shumë se një lojtar të Juventusit (në radhë të parë Emre Can dhe Mandzukic). Pra, veç parave, edhe hipoteza e përfshirjes së emrave të tjerë në operacionin për Pogba nuk tingëllon joreale. Tashmë, në janar, ose me shumë të ngjarë në qershor. Një gjë është e sigurt: Pogba dhe Juventusi vazhdojnë të flirtojnë. Dhe mesazhi i francezit për Bonucci është konfirmimi…