Bota 30-vjetori i rënies së Murit të Berlinit, Pompeo paralajmëron Rusinë dhe Kinën

30-vjetori i rënies së Murit të Berlinit, Pompeo paralajmëron Rusinë dhe Kinën

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo bëri sot një paralajmërim kundër Rusisë, që sipas tij ”po pushton fqinjët dhe po vret kundërshtarët e saj politikë” dhe ndaj Kinës, e akuzuar se ”po përhap një vizion të ri autoritarizmi”.

“Kombet e lira dhe perëndimore kanë përgjegjësinë t’i pengojnë vendet si Kina, Rusia dhe Irani, që të kërcënojnë popujt tanë”, deklaroi  Pompeo, gjatë një fjalimi në Berlin, në prag të 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.

Sekretari amerikan i Shtetit sulmoi në veçanti Rusinë, që drejtohet ”nga një ish-agjent i KGB-së”, Vladimir Putin, të cilin e akuzon se ”ka pushtuar vende fqinje”, Ukrainën dhe se ”po vret kundërshtarët e tij politikë”.

Mike Pompeo akuzoi edhe regjimin komunist kinez, që, sipas tij, po përhap një vizion të ri autoritarizmi.

Ish-drejtuesi i CIA-s theksoi se janë pikërisht këto arsyet se përse SHBA ka kundërshtuar projektin e gazsjellësit ”Nord Stream 2”, që do të lidhë Rusinë me Europën, duke qarkuar Ukrainën.

“Furnizimi me energji i Europës do të varet nga tekat e presidentit rus”, u shpreh ai me keqardhje.

Pompeo paralajmëroi gjithashtu edhe kundër synimeve të kompanive kineze, në veçanti kundër gjigantit “Huawei”, për zhvillimin e teknologjisë 5G.