Kulturë Polakja Olga Tokarczuk dhe austriaku Peter Handke, fituesit e çmimit “Nobel” për...

Polakja Olga Tokarczuk dhe austriaku Peter Handke, fituesit e çmimit “Nobel” për Letërsinë

Autorja polake Olga Tokarczuk dhe shkrimtari austriak Peter Handke u shpallën fitues të çmimit “Nobel” për Letërsinë nga Akademia Suedeze.

Këtë vit u dhanë dy çmime për Letërsinë një për vitin 2019 dhe një për 2018, pasi ai i vitit të kaluar nuk u dha. Akademia Suedeze, e cila është përgjegjëse për dhënien e çmimit prestigjioz, e pezulloi dhënien e këtij vlerësimi vitin e kaluar për shkak të shpërthimit të një skandali seksual.

Kështu që polakja Tokarczuk mori “Nobel” për Letërsinë për vitin e kaluar, ndërsa austriaku Handke atë për këtë vit.

Tokarczuk u lavdërua nga Komiteti për “një imagjinatë narrative që me pasion enciklopedik paraqet kalimin e kufijve si një formë të jetës”. Nga ana tjetër, Handke u vlerësua për “një vepër me ndikim që me zgjuarsi gjuhësore ka eksploruar deri në cepin më të fundit përvojën njerëzore”.

Sekretari i përhershëm i Akademisë Mats Malm tha që të dy laureatët ishin informuar për fitoren e tyre. Handke ishte në shtëpi, ndërsa Tokarczuk ishte në një turne leximi në Gjermani dhe tha duhej ta parkonte veturën në një cep të rrugës kur e mori telefonatën nga Akademia.