Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se kompania gjermane EMS, e cila ka një kontratë 35-vjeçare për kalatën lindore të portit të Durrësit, i është drejtuar me një letër parlamentit shqiptar.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së në selinë blu, Berisha u shpreh se sipas kompanisë, projekti për Portin e ri të Durrësit, bien ndesh me marrëveshjen e koncesionit.
Ndër të tjera, Berisha nënvizoi se duke u bazuar te kontrata, kompania gjermane ka të drejtën të marrë masa ligjore për përfundim të parakohshëm të saj, që mund t’u kushtojë shqiptarëve 200-300 milionë euro.
“Sot, të nderuar deputetë, kompania gjermane EMS Shipping and Trading, e referuar si EMS, i është drejtuar me një letër parlamentit shqiptar. Kompania ka një kontratë 35-vjeçare për kalatën lindore të portit të Durrësit. Ka një detyrim investimi vetë prej mbi 15 milionë euro. Kompania i drejtohet parlamentit: ne kemi shqyrtuar projektligjin dhe marrëveshjen kuadër së bashku me anekset të publikuar në faqen e Kuvendit. Ato bien ndesh me marrëveshjen e koncesionit të EMS.
Sipas relacionit shpjegues, të projektligjit, aktiviteti i portit të Durrësit, as nuk do ndërpritet dhe as pengohet gjatë zhvillimit të projektit. Kompania thotë se gjuha e relacionit, edhe pse e paqartë, nuk është në dijeni të një afati kohor brenda të cilit qeveria shqiptare është në gjendje të ndërtojë një port të ri. Sipas kontratës, EMS thotë se ruan të drejtën që të marrë masa ligjore për përfundim të parakohshëm të kësaj kontrate, që mund t’u kushtojë shqiptarëve 200-300 milionë euro pa asnjë hezitim. Shqiptarët do paguajnë haraçin, përveç 2 miliardë për portin e ri, do paguajnë edhe gjobat e tmerrshme’, theksoi ai.