Politika Porti i Durrësit, Berisha paralajmëron kompanitë e ndërtimit: Kush merr pjesë në...

Porti i Durrësit, Berisha paralajmëron kompanitë e ndërtimit: Kush merr pjesë në këtë projekt do të futet në listën e zezë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët është shprehur se situata në Shqipëri është eksplozive.

Ai foli për çështjen e inceneratorëve dhe projektin e Durrësit. Për këtë të fundit hodhi poshtë, deklaratat e kryeministrit Rama të enjten.

Sipas Berishës, qytetarët e Zagrebit kanë hedhur në kosh të plehrave projektin “për Manhatanin e Zagrebit” dhe kjo është një histori e mbyllur dy vite më parë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha paralajmëroi të gjitha kompanitë që do të marrin pjesë në ndërtimin e portit turistik të Durrës se do të futen në një listë të zezë. Berisha tha se PD do t’u prijë të gjitha nismave që ky projekt të dështojë.

“Të gjitha këto e bëjnë situatën në Shqipëri eksplozive. Qytetarët shqiptarë, nuk mund të pranojnë të qëndrojnë duarkryq përpara këtyre akteve që tejkalojnë çdo imagjinatë të vjedhjes së pasurive të tyre publike. PD do të përdorë të gjitha format për të kundërshtuar këtë plaçkitje të pronës publike më të çmuar që sot kanë shqiptarët. Porti mijëvjeçar i Durrësit është prona publike më e çmuar se çdo pronë tjetër publike në këtë vend. Ne natyrisht do t’u prijmë të gjitha nismave për dështimin e këtij projekti. Jam sot këtu për të paralajmëruar se çdo kompani ndërtimi që do të marrë pjesë në këtë projekt do të “black” listohet. Do të futet në listën e zezë. I paralajmëroj mos të shndërrohen në shushunja për të vjedhur një pronë publike të qytetarëve shqiptare. Po regjistrohen nënkontraktorë tani në Durrës”, tha Berisha.