Kryesore Berisha: SPAK-u të reagojë para se populli t’i bëjë gjyqin Ramës

Berisha: SPAK-u të reagojë para se populli t’i bëjë gjyqin Ramës

Në konferencën e përjavshme për mediat, kreu i PD-së, Sali Berisha, i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë sa më parë Ramën për inceneratorët. Ai u shpreh se “organi i akuzës duhet të reagojë përpara se Ramës t’ia bëjnë gjyqin qytetarët”.

“Nuk ka kontratë që nuk zgjidhet, përveç kontratës së ndërmarrjes së Edi Ramës. SKAP-i kryen një vepër penale që nuk vepron. SKAP-i nuk mund ta shpëtojë kurrë Edi Ramën. Është më mirë që të veprojë SKAP se të veprojnë qytetarët, që t’i bëjnë një gjyq publik Edi Ramës. Edi Rama ka firmën e tij mbi një bonus për një ndërmarrje që nuk ekzistonte mbi tokë. Një sipërmarrje që merr bonusin dhe vetëkrijohet tetë muaj më pas. Por, i kapur përfundimisht si drejtues i një organizate kriminale të djegësit, ai vazhdon në parimin e krijimit të dominancave me afera të tjera shumë më të mëdha. Për të besuar se kështu do i mbyllë dhe do i vendosë në harresë, palë-palë”, tha Berisha.

Berisha u shpreh më tej se, “Shqipërinë e kanë ngërthyer si një gaforre e tmerrshme, aferat korruptive të Edi Ramës, qeveritarëve dhe enturazhit familjar”.

“SKAP-i i partisë, po bën gjithçka për të mbyllur aferën e djegësave, për ta shitur si një aferë të disa punonjësve të kësaj sipërmarrje gjigante të krimit ekonomik të Edi Ramës, Agaçit, Ahmetajt, Veliajt dhe Kokës. Çdo hap që bëhet, bëhet me qëllimin e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën nga krimi që ai personalisht ka kryer. Inceneratorët janë sipërmarrje direkte e Ramës, Agaçit, Ahmetajt, Veliajt dhe Kokës. Janë, sepse Edi Rama, për të mbushur thasët me euro me grupin e tij mafioz, organizatën e strukturuar kriminale, pranon të firmosë, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në kundërshtim flagrant me qëndrimin e Autoritetit të Prokurimeve Publike, që i thotë se procedura “negociatë e mbyllur” nuk ekziston në ligjin shqiptar, me fjalë të tjera, ekziston vetëm në kodet e mafies”, tha Berisha.