Ekonomi Portugalia ndalon me ligj mesazhet nga shefat drejt punonjësve pas orarit të...

Portugalia ndalon me ligj mesazhet nga shefat drejt punonjësve pas orarit të punës

Një ndryshim në Kodin e Punës në Portugali mund të ndikojë pozitivisht në jetën e miliona punonjësve, sidomos atyre që janë të vetë-punësuar ose që punojnë nga shtëpia.

Ligji i ri i miratuar në parlamentin portugez vjen si përgjigje e një ‘shpërthimi’ të fenomenit të ‘punës nga shtëpia’ si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Sipas rregullave të reja, eprorët mund të ndëshkohen me gjoba të majme në rast se i kontaktojnë punonjësit e tyre pas orarit të punës. Kompanive do t’u duhet gjithashtu të nisin të paguajnë për shpenzimet e punës nga shtëpia si faturat e energjisë elektrike apo edhe internetin.

Por këto amendamente të ligjit portugez të punës kanë kufizimet e tyre: ato nuk do të përfshijnë kompanitë me më pak se 10 punonjës.

Çfarë pritet të ndryshojë?

Kompanitë tashmë mund të përballen me gjoba të majme nëse e kontaktojnë stafin e tyre jashtë orëve normale të punës.

Eprorët gjithashtu e kanë të ndaluar të monitorojnë të punësuarit e tyre teksa ata punojnë nga shtëpia.

Rregullat e reja janë një lajm i mirë edhe për prindërit e fëmijëve të vegjël. Tashmë, ata kanë të drejtën të punojnë nga shtëpia pa ju dashur ta kërkojnë këtë nga punëdhënësit e tyre, derisa fëmija të bëhet 8 vjeç.

Rregulla për të shmangur vetminë janë parashikuar gjithashtu në këtë ligj, duke i detyruar kompanitë të organizojnë video-konferenca me punëmarrësit të paktën çdo 2 muaj.

Gjatë dy viteve të fundit, Portugalia ka treguar një interes të veçantë ndaj të punësuarve nga shtëpia dhe nomadëve digjitalë, duke ndërmarrë iniciativa të shumta për të tërhequr sa më shumë punonjës të tillë për t’u shpërngulur dhe punuar në Portugali.