Aktualitet Pozitivë me koronavirus, drejtuesit fetarë largohen për t’u kuruar jashtë Shqipërisë

Pozitivë me koronavirus, drejtuesit fetarë largohen për t’u kuruar jashtë Shqipërisë

Shtimit të rasteve me Covid-19 nuk i kanë shpëtuar as drejtuesit më të lartë të sekteve fetare në vend. Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

42-vjeçari shfaqi shenja të virusit pak ditë parë, teksa mbrëmjen e djeshme tregoi komplikacione shëndetësore, duke e parë të nevojshëm kurimin jashtë vendit. Sytari ka udhëtuar drejt Turqisë në gjendje të rënduar shëndetësore për të marrë mjekim të specializuar.

Përballjen me virusin Covid-19 po e vijojnë edhe Kryepeshkopi, Anastas Janullatos dhe Arqipeshkvi, George Frendo. Frendo është transferuar në Spitalin Miulli në Bari, vetëm disa ditë pasi ai u shtrua në një spital në Shqipëri pasi doli pozitiv me koronavirus.

74-vjeçari kishte shfaqur ndërlikime të frymëmarrjes për shkak të virusit dhe u dërgua me urgjencë në spital. Mjekët konfirmojnë se gjendja shëndetësore  e tij po i rikthehet normalitetit.

Ndërkaq, Janullatos ka udhëtuar drejt Athinës për t’u kuruar nga Covid-19 dhe tashmë gjendja e tij shëndetësore vlerësohet si e qëndrueshme.